Banorët e zonës së Prespës kanë përfituar edhe këtë vit nga vizitat dhe kontrollet mjekësore falas, në kuadër të një misioni shëndetësor të mbështetur nga pala bullgare dhe donatori Milen Vrabevski.
Për të katërtën herë, mjekë specialistë kanë mbërritur në Pustec për t’u ofruar shërbime shëndetësore banorëve të zonës. Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë herë nisma ka sjellë edhe një risi: pjesë e misionit janë bërë për herë të parë edhe mjekë specialistë shqiptarë nga Korça dhe Pogradeci.
“Bullgaria financon, ndërsa pala shqiptare dërgon specialistë nga Korça e Pogradeci. Kjo është edhe një formë shkëmbimi eksperiencash”, u shpreh donatori bullgar Milen Vrabevski.
Gjatë misionit, specialistë të fushave të kardiologjisë dhe reumatologjisë kanë kryer vizita dhe kontrolle për banorët e Prespës, duke synuar që shërbimet mjekësore të jenë sa më pranë komunitetit.
Vrabevski e cilësoi nismën si një tjetër formë mbështetjeje për komunitetin e Prespës, të cilin e konsideroi si “vëllezër dhe motra”, ndërsa vuri theksin te forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Në aktivitet kanë marrë pjesë edhe një grup deputetësh bullgarë, duke i dhënë misionit një tjetër dimension në drejtim të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve mes dy vendeve.
Milen Vrabevski është prej vitesh një prej mbështetësve të komunitetit të Pustecit, duke kontribuar në nisma të ndryshme sociale, shëndetësore dhe arsimore. Mbështetja e tij ka sjellë ndër vite projekte dhe shërbime konkrete për banorët e kësaj zone.
Misioni shëndetësor do të vijojë me ofrimin e vizitave falas për banorët, ndërsa përfshirja e specialistëve shqiptarë pritet të forcojë shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin profesional mes dy vendeve.


