Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Shqipëria votoi për herë të parë me një sistem të ri që i dha më shumë hapësirë votës preferenciale.
Por sa ndryshoi realisht kjo mënyrë votimi marrëdhënien mes kandidatit dhe qytetarit?
A votoi qytetari individin që dëshironte të përfaqësonte në Kuvend, apo vazhdoi të votojë mbi të gjitha partinë?
Dhe, në një sistem ku vota preferenciale bashkëjeton me listën e mbyllur dhe kuotat gjinore, sa e përcakton vetë votuesi se kush bëhet deputet?
Pyetjet bëhen edhe më interesante kur shihen përmes rastit të grave në politikë.
Në zgjedhjet e vitit 2025, 49 gra u zgjodhën deputete në një Kuvend me 140 mandate, ose 35% të përbërjes së tij. Në zgjedhjet e vitit 2021, gratë zinin 47 nga 140 mandatet, rreth 33.6%.
Pra, përfaqësimi gjinor është rritur, por mbetet pyetja: a është kjo vetëm çështje numrash, apo gratë po fitojnë realisht më shumë hapësirë për të vendosur?
Një sistem që i jep votës individuale më shumë hapësirë, por jo kontroll të plotë
Sistemi i përdorur në zgjedhjet e vitit 2025 nuk ishte një sistem me lista plotësisht të hapura.
Çdo parti ose koalicion paraqiti dy lista në çdo qark: një listë të mbyllur dhe një listë preferenciale. Lista e mbyllur përmbante kandidatë në një numër sa rreth një e treta e mandateve të qarkut, ndërsa lista preferenciale kishte po aq kandidatë sa mandatet e qarkut. Mandatet fillimisht u ndanë sipas listës së mbyllur dhe, nëse një subjekt fitonte më shumë mandate sesa numri i kandidatëve në listën e mbyllur, mandatet e mbetura kalonin te lista preferenciale, sipas votave të kandidatëve.
Kjo do të thotë se votuesi fitoi një mundësi më të drejtpërdrejtë për të shprehur preferencën për një kandidat, por nuk fitoi kontroll të plotë mbi përbërjen e grupit parlamentar.
Kandidati vazhdon të jetë pjesë e një partie, ndërsa partia vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e kandidatëve që marrin mandat.
Pikërisht këtu nis debati.
A mjafton vota preferenciale për të ndryshuar kulturën e votimit në Shqipëri?
Deputetja socialiste Besa Spaho, e cila e mori mandatin përmes listës preferenciale, e sheh këtë si një përgjegjësi të re për kandidatin.
«Konkurrimi në listat e hapura ka qenë shumë i rëndësishëm, por edhe shumë përgjegjës. Kandidati tashmë përballet drejtpërdrejt me qytetarin dhe i kërkon votën si individ. Sigurisht që përkatësia politike vazhdon të ketë rëndësi, sepse kandidati është pjesë e një force politike, por vota preferenciale i jep qytetarit mundësinë të bëjë një zgjedhje më konkrete brenda asaj force.»
Sipas saj, votuesi mund të ketë bërë të dyja zgjedhjet njëkohësisht: të ketë mbështetur partinë, por edhe një kandidat të caktuar.
«Mendoj se qytetarët kanë votuar edhe partinë, edhe individin. Por ajo që ndryshon është se kandidati nuk mund të mbështetet vetëm te logoja e partisë. Duhet të komunikojë me njerëzit, të tregojë çfarë ka bërë, çfarë përfaqëson dhe pse qytetari duhet t’i japë atij votën.»
Për Spahon, puna, njohja personale, aktiviteti në komunitet dhe përkatësia politike janë disa prej faktorëve që ndikojnë te vota preferenciale.
Në fund, megjithatë, ajo e përmbledh në një element: besimin.
«Nëse qytetari të njeh, nëse ka parë punën tënde dhe ka krijuar besim te ti, atëherë vota për individin bëhet më e mundshme.»
Edhe vetë ajo pranon se është ende herët për të thënë se sistemi ka ndryshuar tërësisht kulturën e votimit në Shqipëri.
Rasti i Korçës
Një nga shembujt më konkretë për mënyrën se si ndërthuren vota preferenciale dhe kuota gjinore erdhi pikërisht nga Korça.
Partia Socialiste fitoi gjashtë mandate në qark. Tre prej tyre u përfituan nga lista e mbyllur dhe tre nga lista preferenciale.
Në listën preferenciale, tre kandidatët burra morën më shumë vota se kandidatja Besa Spaho. Megjithatë, zbatimi i kuotës gjinore ndikoi në shpërndarjen përfundimtare të mandatit: kandidati burrë me numrin më të ulët të votave ndër kandidatët fitues u zëvendësua nga Besa Spaho.
Rasti është domethënës sepse tregon se vota individuale nuk funksionon e shkëputur nga rregullat e tjera të sistemit.
Votuesi mund të përcaktojë renditjen përmes votës preferenciale, por kjo renditje i nënshtrohet edhe rregullave për përfaqësimin gjinor.
Pra, në Korçë u ndërthurën dy kërkesa të sistemit: vota për individin dhe garantimi i përfaqësimit gjinor.
Për Besa Spahon, kuota është ende e nevojshme, por nuk duhet të jetë qëllimi përfundimtar.
«Gratë nuk duhet të kenë nevojë të punojnë më shumë se burrat për të treguar se meritojnë një pozicion. Por realiteti është që ende ekzistojnë stereotipe. Një grua mund të gjykohet më shumë për mënyrën si komunikon, për pamjen apo për sjelljen, ndërsa një burrë gjykohet më shumë për aktivitetin politik.»
Ajo mendon se kuotat kanë ende një funksion, por paralajmëron se përfaqësimi nuk duhet të reduktohet te numri.
«Kuota ka një rol, sepse garanton që gratë të jenë aty. Por qëllimi afatgjatë duhet të jetë që gratë të jenë në politikë për mbështetjen, përgatitjen dhe kapacitetin e tyre, jo thjesht sepse duhet plotësuar një numër.»
Kuotat: numër në listë apo përfaqësim real?
Ligji zgjedhor kërkon që një në çdo tre kandidatë në listat përkatëse t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar. Ky rregull u zbatua edhe në listat preferenciale dhe në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.
Rezultati i zgjedhjeve të vitit 2025 ishte 49 gra në Kuvend, ose 35%.
Por shifra nuk tregon gjithçka.
Sepse një grua mund të jetë në listë, të marrë mandat dhe përsëri të ketë pak ndikim në vendimmarrje.
Një auditim gjinor i ODIHR-it për Kuvendin shqiptar thekson pikërisht këtë problem: rritja e numrit të grave është e rëndësishme, por nuk është e mjaftueshme nëse institucionet vazhdojnë të funksionojnë përmes rregullave dhe kulturave informale që krijojnë barriera për gratë.
Kjo çështje është studiuar edhe nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” (EDM), i cili prej vitesh punon për rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrjen politike në Shqipëri.
Analizat e realizuara nga organizata tregojnë se pabarazia gjinore nuk lidhet vetëm me numrin e grave në listat zgjedhore, por edhe me kushtet në të cilat ato hyjnë në garë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, gratë përbënin 38.7% të kandidatëve, por kjo shifër nuk tregon nëse ato kanë pasur mundësi të barabarta për të fituar dhe për të ushtruar pushtet politik.
Studimi i EDM-së “Gjinia, Paratë dhe Politika”, i realizuar në vitin 2021 me përgjigjet e 200 kandidatëve nga parti të ndryshme në të 12 qarqet e vendit, evidentoi pabarazi në aksesin ndaj financimit dhe burimeve të partive.
Analizat tregojnë gjithashtu mbështetjen e kufizuar financiare për gratë, pozicionimin jo gjithmonë konkurrues në lista dhe raste të presionit për t’u tërhequr nga kandidimi ose për t’u lënë vendin burrave.
Në këtë drejtim, EDM ka propozuar që 10% e financimit publik vjetor të partive politike t’u dedikohet forumeve të grave, si një mënyrë për të forcuar mbështetjen dhe rolin e tyre brenda strukturave partiake.
Një tjetër këndvështrim vjen nga Ledina Alolli, deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, e cila fitoi mandatin në zgjedhjet e 11 majit 2025 përmes listës së mbyllur në qarkun e Korçës.
Rasti i saj përfaqëson një tjetër mënyrë të hyrjes në Kuvend, ndryshe nga kandidatët që u përballën drejtpërdrejt me votën preferenciale të qytetarëve.
Alolli e sheh përfaqësimin e grave si një proces që nuk duhet të kufizohet vetëm te plotësimi i kuotave ligjore. Sipas saj, partitë politike kanë përgjegjësi në identifikimin, promovimin dhe krijimin e mundësive për gratë, në mënyrë që ato të mos jenë thjesht pjesë e listave, por të kenë edhe hapësirë reale për të ushtruar ndikim politik.
Përfaqësimi, sipas saj, duhet të nisë shumë më herët se momenti i kandidimit. Ai lidhet me mundësitë që gratë kanë brenda strukturave partiake, me mbështetjen që marrin gjatë fushatës dhe me kushtet që u krijohen për të konkurruar.
Nuk mjafton që një grua të jetë në listë. Ajo duhet të ketë mundësi të ndërtojë profilin e saj politik, të komunikojë me zgjedhësit dhe të marrë mbështetjen e nevojshme për të fituar një mandat.
«Duhet të përmirësohet mënyra se si partitë identifikojnë dhe promovojnë gratë. Duhet të shohim kontributin, integritetin, përgatitjen profesionale, lidhjen me komunitetin dhe mbështetjen politike. Kuota duhet të krijojë mundësi, jo të bëhet tavani i një gruaje.»
Në nivelin e pushtetit vendor, Benila Themeli, nënkryetare e Bashkisë Korçë, e sheh përfaqësimin politik nga përvoja e saj në drejtimin e një institucioni lokal.
Ajo e lidh pjesëmarrjen në politikë me marrëdhënien e drejtpërdrejtë që krijohet mes përfaqësuesit dhe qytetarit, ku puna konkrete dhe rezultatet janë elemente që ndikojnë në besimin e komunitetit.
«Në pushtetin vendor, qytetari të njeh më drejtpërdrejt. Të sheh, të dëgjon, sheh punën që bën dhe rezultatet që sjell. Për këtë arsye, lidhja me komunitetin është shumë e rëndësishme.»
Sipas saj, politika vendore krijon një marrëdhënie më të afërt mes përfaqësuesit dhe qytetarit, duke i dhënë këtij të fundit mundësinë të vlerësojë jo vetëm prezencën publike, por edhe rezultatet konkrete të punës.
Megjithatë, kjo afërsi nuk i eliminon automatikisht pengesat me të cilat përballen gratë në politikë. Përgjegjësitë familjare, koha që kërkon angazhimi politik dhe pritshmëritë e ndryshme shoqërore vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si ato ndërtojnë karrierën e tyre.
«Formalisht jemi më afër barazisë se më parë, por në praktikë ende ka dallime. Një grua shpesh duhet të provojë më gjatë aftësinë e saj. Ka edhe përgjegjësitë familjare, koha që kërkon politika dhe standardet e ndryshme me të cilat gjykohen gratë.»
Ajo vëren se në politikën lokale qytetarët mund të vlerësojnë më lehtë individin, sepse marrëdhënia është më e afërt.
«Në nivel vendor, qytetari mund të dallojë më lehtë mes prezencës publike dhe punës konkrete. Mund të shohë komunikimin, integritetin, punën dhe rezultatet.»
Por, edhe për Themelin, kuota nuk është qëllimi përfundimtar.
«Kuotat janë të rëndësishme sepse krijojnë mundësinë që gratë të jenë aty. Por duhet të kalojmë nga numri te fuqizimi real. Pyetja nuk duhet të jetë vetëm sa gra janë në institucione, por sa prej tyre drejtojnë, sa vendosin, sa kanë përgjegjësi dhe sa ndikojnë në politikat që miratohen.»
Një debat që nuk mbyllet te lista e hapur
Zgjedhjet e vitit 2025 sollën një ndryshim të rëndësishëm: votuesi pati më shumë mundësi të shprehte preferencën për një kandidat.
Por sistemi nuk e zhvendosi të gjithë pushtetin nga partia te individi.
Partitë ruajtën një rol të rëndësishëm përmes listave të mbyllura, ndërsa kuotat gjinore ndërhynë në mënyrën se si u përfundua shpërndarja e disa mandateve preferenciale.
Pikërisht për këtë arsye, debati për listat e hapura nuk është thjesht një debat teknik për mënyrën e numërimit të votave.
Është debat për marrëdhënien mes partisë, kandidatit dhe qytetarit.
Është debat për atë se sa përgjegjësi duhet të ketë një deputet ndaj qytetarëve që e kanë votuar personalisht.
Dhe është njëkohësisht debat për mënyrën se si gratë hyjnë dhe qëndrojnë në politikë.
Besa Spaho e sheh të ardhmen te forcimi i marrëdhënies së drejtpërdrejtë me qytetarin.
«Do të doja një sistem ku qytetari të ndiejë se vota e tij për individin ka edhe më shumë peshë. Lista e hapur është një hap në këtë drejtim. Por ajo që është më e rëndësishme është që deputeti të mos jetë thjesht një numër në një grup parlamentar. Duhet të jetë përfaqësues i qytetarëve, të çojë shqetësimet e tyre në Kuvend dhe të japë kontribut në ligjbërje.»
Ledina Alolli e sheh çështjen nga një kënd tjetër: nga mënyra se si partitë përzgjedhin dhe promovojnë kandidatët.
Sipas saj, barazia në përfaqësim nuk mund të arrihet vetëm duke respektuar një përqindje të caktuar në listat zgjedhore. Ajo duhet të nisë që në strukturat e brendshme të partive, ku përcaktohen mundësitë për angazhim, promovim dhe kandidim.
Alolli vë theksin te nevoja që gratë të mos konsiderohen thjesht si kandidate që plotësojnë një detyrim ligjor, por si figura që mund të sjellin kontribut politik, profesional dhe shoqëror.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces ka edhe mbështetja që partitë u japin kandidateve gjatë fushatës. Aksesi në burime, mundësitë për të komunikuar me zgjedhësit dhe pozicionimi në garën brenda partisë janë elemente që ndikojnë në mundësinë reale për të fituar një mandat.
«Duhet të përmirësohet mënyra se si partitë identifikojnë dhe promovojnë gratë. Duhet të shohim kontributin, integritetin, përgatitjen profesionale, lidhjen me komunitetin dhe mbështetjen politike. Kuota duhet të krijojë mundësi, jo të bëhet tavani i një gruaje.»
Benila Themeli e vendos theksin te ndryshimi i mënyrës se si shihet gruaja në politikë.
Për të, fuqizimi i grave nuk matet vetëm me numrin e mandateve apo pozicioneve që ato mbajnë, por edhe me normalizimin e pranisë së tyre në drejtimin e institucioneve. Prania e grave në pozicione përgjegjësie mund të ndikojë edhe te brezat e rinj, duke u krijuar vajzave modele konkrete për angazhimin e tyre në jetën publike.
«Duhet të kalojmë nga ideja se gratë janë një përjashtim në politikë te ideja se është normale që një grua të drejtojë. Kur vajzat e reja shohin gra në pozicione drejtuese, e shohin edhe veten në ato role.»
Ndërsa Maria Dojce, aktiviste, e çon debatin te kultura politike dhe mënyra se si shoqëria shqiptare e koncepton përfaqësimin.
Sipas saj, ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk mjafton nëse qytetarët vazhdojnë të orientohen kryesisht nga përkatësia partiake, figura e liderit apo interesat dhe lidhjet personale.
Ajo vë në dukje se vota preferenciale nuk e garanton automatikisht zgjedhjen e kandidatit mbi bazën e meritës. Në shumë raste, marrëdhëniet familjare, farefisnore, shoqërore dhe ekonomike mund të ndikojnë në vendimin e votuesit, duke e larguar vëmendjen nga përgatitja dhe aftësitë e individit.
Në këtë mënyrë, vota rrezikon të mos jetë gjithmonë një zgjedhje e bazuar te programi dhe merita, por edhe një reflektim i marrëdhënieve dhe interesave që ekzistojnë brenda komunitetit.
Një tjetër element që ajo vë në diskutim është dominimi i liderëve politikë në kulturën zgjedhore shqiptare. Kur figura e kryetarit të partisë mbetet faktori kryesor në perceptimin e votuesve, kandidatët individualë e kanë më të vështirë të ndërtojnë një identitet të pavarur politik dhe të kërkojnë mbështetje mbi bazën e kontributit të tyre.
Dojce e lidh këtë problem edhe me përfaqësimin e grave. Prania e tyre në lista apo në Kuvend nuk garanton vetvetiu pjesëmarrje të barabartë në vendimmarrje. Përfaqësimi real kërkon që gratë të kenë mundësi të ndikojnë në politikat publike, të drejtojnë dhe të marrin përgjegjësi, jo thjesht të jenë pjesë e një numri të përcaktuar nga ligji.
Ajo e përmbledh qëndrimin e saj te nevoja për të ndryshuar kriteret me të cilat qytetarët dhe partitë vlerësojnë kandidatët.
«Duhet të shohim se cili individ ka potencial, dëshirë, korrektësi dhe përgatitje për t’u vënë në shërbim të komunitetit. Nëse vazhdojmë të gjykojmë vetëm mbi bazën e forcës së partisë apo figurës së liderit, atëherë nuk kemi ndryshuar shumë nga kultura e vjetër politike.»
Në fund, zgjedhjet e vitit 2025 nuk japin një përgjigje përfundimtare.
Ato tregojnë se Shqipëria ka bërë një hap drejt votës më individuale, por njëkohësisht se partitë vazhdojnë të kenë një rol të fortë në përzgjedhjen dhe sigurimin e mandateve.
Tregojnë se kuotat kanë ndihmuar në rritjen e numrit të grave në Kuvend, por edhe se numri nuk është i njëjtë me fuqinë reale në vendimmarrje.
Dhe mbi të gjitha, tregojnë se ndryshimi i ligjit nuk mjafton gjithmonë për të ndryshuar kulturën politike.
Sepse në fund të procesit mbetet një pyetje shumë më e thjeshtë:
Kur qytetari vendos një emër në fletën e votimit, sa është vërtet duke zgjedhur individin dhe sa është ende duke zgjedhur partinë?
—
Shkurtime dhe institucione
– IPU – Inter-Parliamentary Union.
– OSCE – Organization for Security and Co-operation in Europe (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë).
– ODIHR – Office for Democratic Institutions and Human Rights.
– PD – Partia Demokratike.
– PS – Partia Socialiste.
– KQZ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
– EDM – Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje”.
Ky artikull është realizuar në kuadër të fushatës së advokimit dhe komunikimit publik “Barazi pa barriera”, nga Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” (EDM), e mundësuar përmes mbështetjes së Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.


