Si çdo fundvit, kori “Lira” u rikthye në skenë me koncertin e tij tradicional, duke i dhuruar publikut korçar një mbrëmje festive të mbushur me tinguj dhe emocione. Me një repertor të përzgjedhur këngësh tradicionale, serenatash, si edhe pjesësh lirike e popullore, koncerti u shndërrua në një kartolinë muzikore për festat, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe familjare.
Kori “Lira”, mbajtës i titullit të lartë “Nderi i Kombit”, dëshmoi edhe një herë pasurinë e jashtëzakonshme të repertorit të tij, me mbi 100 këngë të interpretuara në formë klasike, duke ruajtur besnikërisht traditën e këngës korçare dhe shqiptare.
Dirigjenti Pandi Bello theksoi se ky koncert përbën një mënyrë të rëndësishme për ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare nga brezi në brez. Ndërkohë, këngëtari i korit, Llazi Balashi, u shpreh se çdo interpretim vjen si një homazh për publikun dhe për traditën muzikore të qytetit të Korçës.
Mbrëmja u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme nga publiku, i cili vlerësoi nivelin e lartë artistik dhe emocionin e përcjellë nga kori “Lira”, duke e konfirmuar këtë koncert si një nga momentet më të veçanta kulturore të fundvitit në qytet.


