Një tjetër sukses sportiv për Korçën vjen nga bilardoja. Theo Napoloni është shpallur Kampion Kombëtar në Bilardon Karambol, në disiplinën “3 Sponde”, pas triumfit në Kampionatin Kombëtar të zhvilluar më 8 nëntor në Shkodër.
Në finalen e zhvilluar në Qendrën Stërvitore të Bilardos “Vllaznia”, korçari arriti të mposhtë durrsakun Orges Mezini, duke siguruar titullin kampion dhe duke u ngjitur në majën e kësaj disipline në nivel kombëtar.
Në aktivitet morën pjesë drejtues të Federatës Shqiptare të Bilardos dhe Snookerit, mes tyre presidenti Edmond Loku. Kampionati u drejtua nga Drejtori Teknik i Federatës, Roland Panozaqi, ndërsa në ceremoninë e hapjes ishte i pranishëm edhe mjeshtri veteran i bilardos së Vllaznisë, Xhevat Sokoli.
Suksesi në Shkodër vjen pas disa përfaqësimeve ndërkombëtare të Napolonit. Ai ka marrë pjesë në Kupën e Botës UMB 3-Cushion në Ankara të Turqisë në vitet 2024 dhe 2025, si dhe në Kampionatin Evropian CEB 3-Cushion Individual, të zhvilluar në Antalia në vitin 2026.
Titulli kampion kombëtar është një tjetër arritje për sportin korçar dhe një dëshmi e përfaqësimit të tij edhe në arenën ndërkombëtare.
Theo Napoloni tashmë mban titullin kampion të Shqipërisë në disiplinën “3 Sponde”.


