Greqia rezulton vendi me peshën më të madhe në votën e diasporës për qarkun e Korçës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas të dhënave të administruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë shqyrtimit të ankimit të Partisë Demokratike, 44.7 për qind e votave të diasporës për këtë qark kanë ardhur nga Greqia.
Por edhe më interesante është mënyra se si kanë votuar emigrantët shqiptarë në këtë shtet.
Sipas shifrave të paraqitura në shqyrtimin e ankimit, Partia Socialiste ka marrë 77.11 për qind të votave nga Greqia, ndërsa koalicioni PD-ASHM vetëm 14.52 për qind.
Një diferencë shumë më e thellë sesa ajo që u regjistrua në votimin brenda Shqipërisë.
Në të gjithë votën e diasporës për qarkun e Korçës, PS siguroi 65.77 për qind, ndërsa PD-ASHM 20.30 për qind.
Pikërisht kjo diferencë u bë një prej pikave të debatit gjatë ankimit të Partisë Demokratike, e cila kundërshtoi rezultatin zgjedhor në qarkun e Korçës dhe ngriti pretendime për problematika në administrimin e votimit nga jashtë, veçanërisht në Greqi.
KAS e rrëzoi kërkesën për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, duke vlerësuar se pretendimet nuk ishin provuar në nivelin e kërkuar për të konstatuar manipulim të rezultatit.
Megjithatë, shifrat mbeten një element me interes për analizën elektorale të qarkut.
Korça është një nga qarqet me lidhje të forta emigracioni me Greqinë dhe vota e emigrantëve rezultoi një faktor i rëndësishëm në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të vitit 2025.
Një pyetje mbetet për t’u analizuar: çfarë e shpjegon këtë diferencë kaq të madhe mes votës së emigrantëve në Greqi dhe asaj të zgjedhësve që votuan brenda qarkut të Korçës?


