Për të katërtin vit radhazi, dirigjenti i njohur kosovar Trimor Dhomi i ka dhuruar publikut korçar një koncert a cappella, duke sjellë në skenë këngë të njohura jo vetëm nga qyteti i serenatave, por edhe nga treva të tjera shqipfolëse.
Edhe këtë vit, Dhomi arriti të ndërtojë një kor shumëzërësh të harmonizuar në mënyrë të shkëlqyer, pavarësisht se një pjesë e madhe e interpretuesve ishin amatorë. Performanca u prit me duartrokitje të shumta nga publiku, duke konfirmuar nivelin artistik dhe pasionin që përcillet në çdo interpretim.
Dirigjenti Trimor Dhomi u shpreh se puna me një kor a cappella nuk është aspak e lehtë, por me vullnet, durim dhe dashuri për muzikën gjithçka bëhet e realizueshme. Sipas tij, qasja ndaj muzikës klasike dhe ndërtimi i zërave të dytë, të tretë apo të katërt kërkon përkushtim të madh, sidomos kur bëhet fjalë për kor me 4 apo 5 zëra.
Nga ana tjetër, drejtoresha e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, Zamira Kita, theksoi se aktivitetet kulturore festive do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Ajo bëri me dije se publiku do të ketë mundësi të ndjekë koncerte të tjera si kori i të rinjve, kori “Lira” më 30 dhjetor, si dhe muzikalin “Katedralja” më 28 dhe 29 dhjetor, i cili shënon herën e parë që një muzikal vihet në skenën e këtij teatri.
Gjatë gjithë muajit dhjetor, Bashkia Korçë ka organizuar një sërë koncertesh dhe aktivitetesh festive në Pazarin e Vjetër, në pedonale dhe në ambientet e teatrit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë festive për qytetarët, emigrantët dhe vizitorët vendas e të huaj.




