Voskopojë – Njësia Administrative Voskopojë ka tashmë një drejtues të ri. Kodhel Zere, një emër i njohur në fushën e menaxhimit dhe zhvillimit të turizmit, është emëruar administrator i kësaj njësie, duke sjellë energji të reja dhe një vizion bashkëkohor për zhvillimin e zonës.
Me një përvojë të gjatë në menaxhimin e turizmit lokal, Zere ka drejtuar prej vitit 2013 GuestHouse “Pashuta”, një biznes i suksesshëm që ka promovuar Voskopojën si një destinacion turistik të preferuar. Ai ka shërbyer gjithashtu si kryetar i “Shoqatës së Turizmit dhe Biznesit Voskopojë”, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit mes bizneseve dhe në promovimin e potencialit turistik të zonës.
I arsimuar në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës, ku ka përfunduar një Bachelor në Menaxhim, një Master Profesional në Administrim Biznesi dhe një Master Shkencor në Filozofi Sociale, Zere sjell një kombinim të shkëlqyer të dijes akademike dhe përvojës praktike.
Në vitet e fundit ai është angazhuar edhe në jetën akademike, si President i Këshillit Studentor dhe anëtar i Senatit Akademik, duke treguar aftësi të spikatura lidershipi, organizimi dhe komunikimi.
Emërimi i tij pritet të sjellë një frymë të re zhvillimi për Voskopojën, duke fokusuar punën tek nxitja e turizmit, përmirësimi i infrastrukturës dhe mbështetja për komunitetin lokal.
Ky ndryshim vjen në një moment kur Voskopojë po përjeton një rritje të ndjeshme të vizitorëve, dhe pritshmëritë për një administrim të suksesshëm janë të larta.




