Nga Ilirjan Gjika
Boboshtica është një prej fshatrave të Korçës e vendosur në rrëzën perëndimore të malit të Moravës. Në histori shquhet si një vendbanim i lashtë që daton prej fillimit të mijëvjeçarit të parë dhe që ka disa veçori të dallueshme. Përveç monumenteve të trashëgimnisë kulturore, si rrënojat e një kalaje të antikitetit të vonë, apo kishës mesjetare të ‘’Shën Kollit’’, Boboshtica, shquhet edhe për manat e zinj, të konsideruar si monumente natyre. Po kështu, ky fshat njihet edhe si vendlindja e shkrimtarit të njohur Viktor Eftimiu (1). Si një prej vendbanimeve të pellgut të Korçës, ku krishtërimi ka rrënjë të thella dhe të forta, ajo, është e përmendur edhe për objektet e shumta të kultit orthodoks. Në kujtesën popullore përmenden 12 të tilla, nga të cilat statusin e monumenteve të kulture e kanë kishat e ‘’Shën Kollit’’, ‘’Shën Jovanit’’, ‘’Shën Mitrit’’, ‘’Shën Ilias’’ (Shëndëlliut) dhe manastiret e ‘’Shën Kollit’’ dhe ‘’Shën Marisë’’ (2). Ndërkohë që midis tyre si një ndërtim i veçantë dhe origjinal shquhet kisha e ‘’Shën Joanit’’, e njohur në gjuhën e vendit si ‘’Shën Jovani’’. E vendosur në perëndim të fshatit, faltorja që mban emrin e ‘’Joan Pagëzorit’’ është një prej objekteve më të vjetra të kultit. Sipas studimit të autorit Aleksandër Meksi, të titulluar ‘’Disa kapela bizantine të vendit tonë’’, ky objekt përbën një kishë me planimetri drejtëkëndëshe dhe madhësi mesatare (3). Përbëhet nga naosi njënefësh, altari dhe një hajat i mbyllur në anën perëndimore. Dikur, naosi me altarin ndaheshin nga njëri-tjetri me një ikonostas druri prej të cilit kanë mbetur vetëm gjurmët në mure. Altari përbëhet nga bema që dallohet për madhësinë e saj, protezisi dhe diakonikoni. Ndërsa në anën e jashtme, në lindje, spikat një absidë trefaqëshe e cila është e ndërtuar me të njëjtën teknikë si pjesa më e vjetër e kishës, ku kombinohen tullat vertikale të vendosur në mes të gurëve (4). Në çdo faqe të absidës ndeshim nga një dritare të ngushtë dhe të larte të mbuluar me hark tullash. Ndërkohë dyshemeja e naosit është e shtruar një pjesë me tulla të përmasave 30 x 30 cm, ndërsa pjesa tjetër me çimento. Po kështu, në pjesën perëndimore të tij kemi një hajat të mbyllur, të shtuar pas rindërtimit të kishës dhe të ndërtuar me mure gurësh të lidhur me llaç balte. Duhet theksuar se faltorja është ndërtuar me gurë smërçi dhe tulla të lidhura me llaç, një kombinim midis tyre, e konsideruar nga studjuesit të fushës, si një teknikë jo më e hershme se ajo e klausonazhit (5). Nga kisha e ‘’Shën Joanit’’ kemi dy faza ndërtimi, ku prej asaj të para pushtimit osman ruhen faqet veriore dhe lindore të saj. Pikërisht në faqen veriore, në pjesën e poshtme janë vendosur në formën e bazamentit disa radhë me gurë të mëdhenj smërçi, të skuadruar dhe të lidhur me llaç. Mbi to janë vendosur një radhë tullash të vendosura horizontalisht dhe të lidhura, që alternohen me dy radhë prej gurësh dhe tullash të vendosura vertikalisht. Një mënyrë origjinale kjo e cila nuk ndeshen në asnjë objekt tjetër kulti në vendin tonë (6). Ndërsa pjesa më e vonë e kishës është ndërtuar me gurë midis të cilëve janë vendosur edhe breza trarësh. Pikërisht këtu, në anën jugore, ku gjenden edhe gjurmë afresku, dikur ka qenë një hajat që më vonë është shembur. Faltorja është e mbuluar nga çati dyujëse, ashtu si edhe absida që përfundon edhe ajo me një çati të vendosur mbi një kornizë tullash. Në kishën e ‘’Shën Joanit’’ mungojnë mbishkrimet identifikuese. Sipas studjuesit Aleksandër Meksi, duke u mbështetur tek të dhënat që bazohen te arkitektura dhe teknika e ndërtimit e saj, ky objekt, duhet të jetë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV (7). Ndërsa muret e brendshme të kishës dhe muri perëndimor i saj që ndodhet brenda hajatit, janë të pikturuara me afreske, të cilat janë më të vonshëm se ndërtimi i saj (8). Pikturat murale janë realizuar në shek. XVI-XVII dhe midis tyre mund të veçojmë disa skena. Të tilla janë ato të ‘’Madilionit të Shenjtë’’, që ndodhet në pjesën e sipërme të kalotës së absidës, ‘’Shën Mërisë në Fron me Fëmijën’’, e cila është vendosur poshtë saj dhe ‘’Trinitetit të Shenjtë’’, pikturuar në murin lindor të absidës. Të vlerësuara për mjeshtërinë e tyre të realizimit, të tre tablotë e mësipërme janë përshkruar me hollësi në studimin e titulluar ‘’Ikona’’ të autorit Kliti Kallamata (9). Sot, këto afresket të restauruara, përbëjnë jo vetëm një rast studimi por janë të hapura edhe për vizitorët e turizmit fetar dhe atij kulturor. Po kështu, që nga viti 1963, kisha e ‘’Shën Joanit’’ funksionon me statusin si monument kulture (10).
* ‘’Shën Joani’’ Boboshticë. Foto e marrë nga faqja e Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë
*****
1-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 105
2-Të njohim monumentet e kulturës, IMK, Tiranë 1967, f. 155-157
3-A. Meksi, Disa kapela bizantine në vendin tonë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 81-83; A. Meksi, Kishat e Shqipërisë-shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 327-328
4-Po aty, f. 81-83; f. 327-328
5-Po aty, f. 81-83; f. 327-328
6-Po aty, f. 81-83; f. 327-328
7- Po aty, f. 81-83; f. 327-328
8-Aleksandër Meksi, Disa kapela bizantine në vendin tonë, Monumentet, 10, Tiranë 1975, f. 81-83
9-Kliti Kallamata, Ikona, K & P. SBILIAS S. A. Athens 1998, f. 45-47, 59, 98-99
10-Të njohim monumentet e kulturës, IMK, Tiranë 1967, f. 157