Pa të ardhura, me probleme të rënda shëndetësore dhe pa kushtet minimale për të jetuar, Aurel Zyfi, 53 vjeç nga fshati Kreshpanj i Njësisë Administrative Pojan, po përballet i vetëm me varfërinë dhe sëmundjen.
Në një kohë kur ka nevojë urgjente për trajtim mjekësor, ai nuk ka as paratë për të shkuar në Tiranë. Ndërsa ditët kalojnë pa ushqim dhe pa kujdes, ndihma ekonomike ende nuk ka mbërritur.
Kjo është gjendja në të cilën jeton Aureli, i cili i është drejtuar emisionit investigativ Fiks Fare, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën e tij të rënduar.
Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për gurët në tëmth, 53-vjeçari përballet edhe me një tjetër problem shëndetësor, një venë të bllokuar, që kërkon trajtim të mëtejshëm në Tiranë. Por, mes sëmundjes dhe pamundësisë ekonomike, ai ka mbetur në shtëpi, pa mundësi për të ndjekur mjekimin që i nevojitet.
Aureli thotë se nuk ka më fuqi të punojë, nuk ka ushqime dhe nuk ka asnjë person pranë që ta ndihmojë të përballojë nevojat bazë. Kushtet në të cilat jeton janë të vështira, ndërsa mungesa e të ardhurave e ka lënë në pamundësi për t’u kujdesur edhe për veten.
Fëmijët e tij jetojnë larg. Dy vajzat më të vogla ndodhen në jetimore, djali punon, ndërsa vajza e madhe, e cila ka krijuar familjen e saj, shprehet se nuk ka mundësi financiare për të mbajtur të atin. Sipas saj, ka raste kur Aureli nuk ka as bukë për të ngrënë.
Por përtej gjendjes së rëndë njerëzore, ky rast ngre edhe pikëpyetje për mbështetjen sociale që duhet të marrë një person i sëmurë dhe pa të ardhura.
Fiks Fare iu drejtua Njësisë Administrative Pojan për të mësuar se çfarë ishte bërë për ta ndihmuar 53-vjeçarin. Punonjësja e shërbimit social dhe administratori shoqëror thanë se e njihnin situatën e tij dhe se ishin përpjekur t’i vinin në ndihmë.
Sipas tyre, procedurat për përfitimin e ndihmës ekonomike ishin penguar nga situata e tij martesore dhe mungesa e dokumentacionit të divorcit. Përfaqësuesit e njësisë administrative sqaruan se divorci është përfunduar vetëm pak ditë më parë dhe se tashmë do të aplikohet për ndihmë ekonomike.
Megjithatë, për Aurelin, nevojat janë të menjëhershme. Ai ka nevojë për ushqim, për kujdes shëndetësor dhe për mbështetje që të mos përballet i vetëm me sëmundjen dhe varfërinë.
Ndërsa procedurat administrative pritet të vijojnë, 53-vjeçari vazhdon të jetojë në kushte të vështira.


