Kjo nuk është një ndeshje e Kategorisë Superiore apo e Kategorisë së Parë, por finalja e kampionatit amator të futbollit në qytetin e Korçës, e cila ka tërhequr interes të lartë nga publiku dhe të rinjtë sportdashës.
Prej disa vitesh, në juglindje organizohet kampionati amator i futbollit, ku mbi 200 të rinj aktivizohen çdo sezon. Përmes këtij kampionati, të rinjtë krijojnë miqësi, rrisin komunikimin dhe shfaqin talentet e tyre, duke ofruar mundësi reale për t’u evidentuar nga ekipet profesioniste të futbollit shqiptar.
Sipas specialistit të futbollit, Egli Malësia, interesi i korçarëve për aktivitetet sportive mbetet i lartë.
“Korçarët e kanë treguar se kudo që ka aktivitete sportive janë të pranishëm. Në këtë finale të kampionatit amator të zonës së Korçës ka pasur interes të madh dhe kjo punë e këtyre djemve është për t’u vlerësuar. Kanë qenë 10 ekipe pjesëmarrëse, që për një qytet si Korça është një numër i konsiderueshëm. Janë mbi 200 të rinj që aktivizohen, luajnë, komunikojnë dhe përjetojnë emocionin e garës.”
Një nga futbollistët pjesëmarrës, Ardit Skënderasi, thekson emocionet dhe motivimin e lartë të skuadrave gjatë këtij kampionati.
“Finalja prodhoi emocione të forta. Ishim të motivuar dhe kishim si synim fitimin e kupës së pestë. Interesi ishte i lartë, kishte shumë ekipe dhe të gjitha ishin konkurrente. Kjo i bën mirë futbollit korçar dhe atij shqiptar. Kemi luajtur edhe ndaj ekipeve të kategorive të dyta, të treta dhe të para.”
Në vitin e pestë të zhvillimit të këtij kampionati amator, fituese u shpall skuadra FC Helzag, e cila triumfoi në finale me rezultatin 3-1 përballë Bulgarecit.


