Është promovuar libri “Feja nën regjimin komunist”, botimi më i ri i autorit korçar Aleksandër Ikonomidhi Sulioti, një vepër që hedh dritë mbi historinë e besimeve fetare në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit komunist.
Autori tregon se ideja për librin lindi nga mungesa e botimeve në Greqi mbi këtë temë, duke e shtyrë të ndërmarrë kërkime të shumta historike për të dokumentuar rrugëtimin e feve në Shqipëri nga fillimi i shekullit XX deri në rënien e komunizmit. Në libër trajtohet veçanërisht periudha e vitit 1967, kur regjimi komunist ndërmori fushatën e ateizimit, duke goditur institucionet dhe komunitetet fetare në të gjithë vendin.
Një kapitull i veçantë i kushtohet figurës së Nënë Terezës dhe përpjekjeve të saj për të takuar nënën gjatë viteve të diktaturës, si dhe vizitës së saj në Shqipëri pas hapjes së vendit.
Gjatë promovimit, ish-mësuesi Robert Vangjeli ndau kujtime personale nga periudha e komunizmit, duke kujtuar lidhjen e fortë të qytetarëve korçarë me fenë. Ai solli në vëmendje prishjen e Kishës së Shën Gjergjit në vitin 1971 dhe reagimin e familjarëve të tij, të cilët e konsideronin kishën simbol mbrojtës të qytetit.
Libri sjell dëshmi, kujtime dhe fakte historike mbi një nga periudhat më të vështira për besimin fetar në Shqipëri, duke synuar të ruajë kujtesën historike dhe t’u përcjellë brezave të rinj sakrificat, sfidat dhe qëndresën e komuniteteve fetare gjatë viteve të diktaturës komuniste.


