Numri i personave me probleme të shëndetit mendor dhe i përdoruesve të lëndëve narkotike në juglindje të vendit është në rritje, ndërsa specialistët ngrenë alarmin për mungesën e strukturave rehabilituese afatgjata. Sipas tyre, vitet e fundit është vënë re një shtim i numrit të grave dhe vajzave që përdorin alkool dhe lëndë narkotike, duke e bërë edhe më të domosdoshëm ofrimin e shërbimeve të specializuara.
Mjekja me përvojë mbi 20-vjeçare në fushën e shëndetit mendor, Nikolina Bode, thekson se një pjesë e madhe e pacientëve mbeten pa mbështetje familjare për shkak të emigracionit apo braktisjes, çka vështirëson ndjekjen e terapisë dhe riintegrimin e tyre në shoqëri. Sipas saj, trajtimi afatgjatë për përdoruesit e drogës, veçanërisht për gratë, mbetet një sfidë, pasi qendrat private kanë kosto të papërballueshme dhe mungojnë institucionet shtetërore rehabilituese në rajon.
Bode nënvizon se dy shtëpitë psikiatrike që funksionojnë aktualisht kanë kapacitete të kufizuara dhe nuk i përballojnë kërkesat në rritje. Ajo kërkon ngritjen e qendrave shtetërore të rehabilitimit dhe shërbimeve të kujdesit afatgjatë për personat me probleme të shëndetit mendor dhe varësi.
Sipas të dhënave, vetëm në juglindje të vendit janë mbi 5 mijë persona që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.


