Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka dhënë detaje të reja lidhur me konfliktin e ndodhur një ditë më parë në fshatin Blacë, Pogradec.
Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec kanë ndaluar shtetasin Xh. O., 29 vjeç, banues në Blacë, i cili ishte shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, të arrestuar menjëherë pas konfliktit, është përfshirë në një përplasje fizike me dy shtetas të tjerë.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin penal ndaj shtetasit E. H., 49 vjeç, banues në Korçë, pas një aksidenti të ndodhur në aksin rrugor “Korçë-Bilisht”, pranë fshatit Plasë, Maliq.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti që drejtohej nga E. H. është përplasur me një tjetër mjet, me drejtuese shtetasen B. M., 39 vjeçe, banuese në Korçë. Si pasojë e aksidentit, E. H. ka mbetur i lënduar, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesja tjetër dhe një pasagjer në automjetin e saj janë dërguar në spital për kontroll mjekësor.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


