Në maternitetin e Spitalit të Pogradecit, mes sfidave të përditshme dhe infrastrukturës që ka nevojë për vëmendje të madhe e sa më të shpejtë nga Ministria e Shëndetësisë , një emër që ishte i palëkundur në përkushtimin dhe profesionalizmin e tij ka qenë Dr. Ilir Gusho.
Prej më shumë se 10 vitesh, Dr. Gusho shërbeu si gjinekolog-obstetër dhe shef pavioni, duke trajtuar mijëra lindje dhe duke qenë pranë nënave të qytetit e fshatrave përreth në momentet më të rëndësishme të jetës.
Mjek me mision dhe gjithmonë me kërkesa për vëmendje.
Dr. Ilir Gusho nuk ka qenë vetëm një profesionist i fushës së lindjeve, por një figurë humane që ka ngritur zërin në emër të pacienteve dhe të stafit, në kohë kur infrastruktura e maternitetit kërkonte ndërhyrje urgjente.
Në vitet 2015–2016, ai personalisht kërkonte “llogari” të hapur mbi gjendjen e rënduar të godinës, duke kërkuar rikonstruksion të tarracës, sistemit elektrik e hidraulik dhe kushteve higjieno-sanitare. Ishte një thirrje me guxim, që e vuri atë në qendër të vëmendjes si një mjek që nuk hesht përballë problemeve.
Por edhe nënat që ndiqnin procesin e shtatzënisë aty dhe kryenin lindje shprehnin vlerësimet më të larta për Gushon.
Një nënë e re si Erjona, shprehej:
“E kam lindur fëmijën tim të parë me Dr. Gushon dhe më ka dhënë shumë siguri. Ishte prezent në çdo hap. I përkushtuar dhe i qetë në komunikim.”
Luljeta në lindjen e dytë të saj tha se;
“Kam kaluar shumë frikë gjatë lindjes, por doktori nuk më la vetëm. Sytë e tij të qetë dhe dora e sigurt më shpëtuan mua dhe vajzën.”
Marjana tha se kishte mundësitë për tu ndjekur tek privati, por zgjodhi mjekun.
“Mund të zgjidhja klinika private, por erdha këtu vetëm sepse kisha dëgjuar për Dr. Gushon. S’më zhgënjeu asnjë çast.”
Në një kohë kur shumë profesionistë zgjedhin rrugë më të lehta apo migrojnë, figura si ajo e Dr. Ilir Gushos janë pasuri për komunitetin. Me qetësi, përkushtim dhe etikë, ai ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e qindra nënave të qytetit buzë liqenit.