Një grup deputetësh zhvilluan një inspektim në ambientet e Gjykatës së Korçës, në kuadër të një nisme për vlerësimin e masave të sigurisë në institucionet e drejtësisë.
Deputeti i Partisë Socialiste, Bledi Como, bëri me dije se kjo vizitë vjen si përgjigje ndaj një kërkese të drejtpërdrejtë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), pas ngjarjes së ndodhur më herët në Gjykatën e Apelit të Tiranës.
Sipas Comos, pas disa takimeve me institucionet përkatëse, deputetët kanë dalë në terren për të verifikuar kushtet e sigurisë në gjykata, me synimin që më pas çështja të diskutohet në komision parlamentar së bashku me institucionet e pavarura të sistemit të drejtësisë, përfshirë KLGJ dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).
“Qëllimi ynë është përmirësimi i sistemit të sigurisë në gjykata, qoftë përmes ndryshimeve ligjore, qoftë përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe teknologjisë,” u shpreh deputeti.
Ai theksoi se Gjykata e Korçës konsiderohet një nga gjykatat më të mira në vend përsa i përket kushteve dhe funksionimit, duke e cilësuar atë si një model për institucionet e tjera të drejtësisë. Sipas tij, inspektimi nuk ka të bëjë me monitorimin e vendimmarrjes gjyqësore, por vetëm me vlerësimin e ambienteve dhe standardeve të sigurisë.
“Nuk monitorojmë vendimmarrjen. Kemi ardhur të shohim ambientet dhe të barazojmë kushtet, pasi ka gjykata që nuk i kanë këto standarde. Gjykata e Korçës është një model se si duhet të funksionojë puna,” tha Como.
Në përfundim të inspektimeve, do të hartohet një raport përfundimtar, i cili pritet të shërbejë si bazë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë për rritjen e sigurisë në të gjitha institucionet e gjyqësorit dhe prokurorisë. Propozimet do të përfshijnë sigurinë fizike, infrastrukturën dhe teknologjinë, me synim garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për funksionimin e drejtësisë.


