Policia e Qarkut Korçë ka ndërmarrë disa veprime procedurale për raste të ndryshme të shkeljes së ligjit në disa zona të qarkut.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin N. L., 51 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila më pas u pajis me urdhër mbrojtjeje. Po ashtu, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Z. Ç., 52 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap jashtë banese duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e caktuar ndaj tij për veprën penale “Dhuna në familje”.
Në një rast tjetër, specialistët referuan materialet në Prokurori për shtetasin P. M., 31 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar se ka pushtuar një sipërfaqe toke për ta përdorur në funksion të lokalit që administron.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec nisën procedim penal për shtetasit B. V., 40 vjeç dhe N. K., 61 vjeç, të dy banues në Pogradec, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori për shtetasen E. H., 40 vjeçe, banuese në fshatin Kalivaç, e dyshuar se ka kanosur në rrjete sociale një 33-vjeçare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


