Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) përshëndet zgjedhjen e z. Klodjan Braho si drejtues i ri i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK). Drejtimi i kësaj strukture përfaqëson një përgjegjësi të lartë dhe një mundësi të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të besimit të qytetarëve te drejtësia dhe sundimi i ligjit në Shqipëri.
AMIE pret që SPAK të hetojë me prioritet lëshimin e paligjshëm të vërtetimeve të origjinës bullgare nga institucionet lokale shqiptare, si dhe ndikimin që grupet e ndërmjetësuesve të pasaportave bullgare kanë ushtruar gjatë procesit të censusit të vitit 2023 në të gjithë territorin e Shqipërisë. Këto grupe kanë përdorur pushtetin dhe lidhjet e tyre për të vendosur anketues të tyre, duke ushtruar presion, kërcënime dhe ryshfet ndaj qytetarëve shqiptarë, me qëllim që t’i detyronin të deklarohen si bullgarë dhe të manipulojnë të dhënat e censusit.
Gjithashtu, kërkojmë hetimin e veprimtarive të paligjshme të fondacioneve të ardhura nga Bullgaria, të cilat operojnë me qëllim asimilimin e komunitetit maqedonas autokton në Shqipëri, duke cenuar identitetin, kulturën dhe të drejtat e këtij komuniteti.
Censusi i fundit në Shqipëri u zhvillua nën presione të shumta dhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë nga grupime dhe institucione bullgare. Para dhe gjatë procesit të censusit, AMIE ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme presionin e ushtruar nga ndërmjetësuesit e pasaportave bullgare, nga Ambasada e Bullgarisë, si dhe nga grupe ekstremiste dhe fondacione të ndryshme nga Bullgaria, të cilët kanë pasur mbështetje edhe nga disa zyrtarë vendas, me qëllimin e qartë për të manipuluar rezultatet e censusit.
AMIE mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit maqedonas në Shqipëri dhe në kërkimin e transparencës dhe ligjshmërisë në çdo proces që prek identitetin dhe të ardhmen tonë




