Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka vizituar për herë të parë qytetin e Pogradecit, ku zhvilloi një takim me përfaqësues të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe kryetarin e Bashkisë. Ai u shpreh se qëllimi i vizitës lidhej me programin e ri që parashikon hapjen e zyrave të informimit pranë çdo gjykate në vend, si një mënyrë për të garantuar më shumë transparencë për publikun.
“Është hera e parë që vizitoj Pogradecin. Në takimin me kryetarin e bashkisë diskutuam për potencialin e jashtëzakonshëm që ka qyteti dhe rajoni. Keni pasuri natyrore të jashtëzakonshme – liqenin, malet dhe pikat kufitare – që janë një mundësi e madhe zhvillimi. Pogradeci ka shumë për të ofruar, por është ende pak i njohur. Duhet punuar për ta promovuar më shumë si për turistët e huaj, ashtu edhe për investimet,” u shpreh Tarran.
Ai theksoi gjithashtu rolin e OSBE-së në mbështetje të projekteve vendore, veçanërisht përmes Këshillave Vendorë të Sigurisë, një platformë ku institucionet dhe shoqëria civile bashkëpunojnë për të diskutuar problematika të sigurisë në komunitet.
“Siguria nuk është vetëm përgjegjësi e policisë apo institucioneve, por e gjithë shoqërisë. Organizatat e shoqërisë civile mund të ndihmojnë në identifikimin dhe adresimin e problemeve specifike në qytete apo fshatra,” tha ambasadori.
Ai shtoi se OSBE po shqyrton edhe zhvillimin e programeve të reja mbështetëse për gratë, për zhvillimin ekonomik, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e turizmit.