Një alarm për një objekt të dyshimtë në një automjet në lagjen nr. 18 të qytetit të Korçës mobilizoi mëngjesin e sotëm forcat e Policisë dhe shërbimet e specializuara.
Rreth orës 09:00, në rrugën “Petraq Shomo”, në gomën e pasme të një automjeti në pronësi të shtetasit G.P., u konstatuar një pako e dyshimtë, e cila fillimisht ngriti dyshime për prani të mundshme të lëndës eksplozive.
Për arsye sigurie, Policia rrethoi menjëherë zonën dhe largoi banorët nga perimetri i rrezikut, ndërsa në vendngjarje mbërritën Forcat Xheniere për të kryer verifikimet dhe procedurat përkatëse.
Pas kontrollit të specializuar, rezultoi se objekti i vendosur në automjet nuk ishte lëndë plasëse, por një aparat GPS.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të identifikuar dhe kapur personin që ka vendosur pajisjen në automjet, si dhe për të zbardhur qëllimin e kësaj ngjarjeje.


