Korça po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj, ndërsa këtë verë qyteti është vizituar edhe nga grupe turistësh italianë, të cilët kanë zgjedhur juglindjen e Shqipërisë për të kaluar disa ditë pushime.
Interesi i vizitorëve italianë është përqendruar veçanërisht te turizmi fetar, trashëgimia kulturore dhe arkitektura karakteristike e Korçës. Gjatë vizitës së tyre, ata kanë ndalur në qendër të qytetit, në Katedrale, Pedonale dhe në Pazarin e Vjetër.
Për turistët italianë, Shqipëria ka qenë për vite me radhë e njohur kryesisht përmes historive të emigracionit shqiptar drejt Italisë. Por vizita në vend po ua ndryshon këtë perceptim, duke i njohur nga afër me një Shqipëri të pasur me kulturë, histori, arkitekturë dhe mikpritje.
Turistët vlerësojnë veçanërisht bukurinë e qytetit, çmimet e arsyeshme, arkitekturën dhe mikpritjen shqiptare. Për disa prej tyre, vizita në Korçë ka sjellë një këndvështrim të ri mbi Shqipërinë, përtej historive të emigracionit që kishin dëgjuar më parë.
Korça, me arkitekturën karakteristike, objektet e kultit dhe historinë e saj, mbetet një prej pikave të rëndësishme të itinerareve turistike në juglindje. Gjatë muajve të verës, qyteti po shënon një prani gjithnjë e më të madhe të turistëve të huaj.
Nga një vend i njohur përmes historive të emigracionit, Shqipëria po shndërrohet për italianët në një destinacion për t’u zbuluar nga afër. Ndërsa Korça, me kulturën, arkitekturën dhe mikpritjen e saj, po fiton gjithnjë e më shumë një vend në hartën turistike të vizitorëve italianë.


