I riu me inisciale S. D. u ndalua nga shërbimet e policisë gjatë kohës që po transportonte me një automjet të tipit “Volkswagen Golf” 6 emigrantë të paligjshëm nga Korça në drejtim të Tiranës.
KORÇË- Një 21-vjeçar nga fshati Libonik i bashkisë Maliq ka përfunduar në prangat e Policisë, pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt përfitimit monetar. I riu me inisciale S. D. u ndalua nga shërbimet e policisë gjatë kohës që po transportonte me një automjet të tipit “Volkswagen Golf” 6 emigrantë të paligjshëm nga Korça në drejtim të Tiranës.
Në momentin e pikasjes nga forcat e rendit, 21-vjeçari ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap në këmbë, por është neutralizuar dhe prangosur menjëherë pas ndjekjes nga uniformat blu.
Nga hetimet e para rezulton se i riu u merrte emigrantëve shuma monetare me qëllim ndihmën për kalimin e paligjshëm të kufirit dhe transportimin e tyre brenda territorit shqiptar. Uniformat blu po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e kapjen e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet të trafikut të qenieve njerëzore.


