Ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në qytetin e Korçës ku humbi jetën 20-vjeçari, Joan Zuko nuk ka tronditur vetëm opinin publik po edhe atë sportiv. Tifozteria e Skënderbeut dhe grupi i njohur i ultrasve “Ujqërit e Dëborës” kanë reaguar për ndarjen nga jeta të një prej tifozëve të tyre të flaktë.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale nga vetë faqja e ultrasve, ku theksohet se nuk ka humbur thjesht një tifoz, por një njeri që e jetoi dashurinë për klubin bardhekuq me gjithë shpirt dhe e përjetonte çdo ndeshje si finalen e jetës.
“Sot Skënderbeu dhe gjithë tifozeria ‘Ujqërit e Dëborës’ humbën një nga tifozët e tyre më të zjarrtë… Zëri yt do të mungojë në tribuna, këngët dhe brohoritjet e tua nuk do të dëgjohen më mes turmës, por pasioni që le pas nuk do të harrohet kurrë”, shkruan tifozeria.
Tifozët kanë shprehur mirënjohjen për mbështetjen e tij të palëkundur në çdo moment, qoftë në ditët e bukura apo në ato të vështira, duke theksuar se Korça ka humbur një zemër bardhekuqe. Grupi i ultrasve është zotuar se do të vazhdojë të këndojë dhe të ngrejë flamurin edhe për të, duke mbajtur gjallë kujtimin e një “Ujku të Dëborës” që do të mbetet përjetësisht pjesë e tribunës.


