Polena është kthyer edhe këtë vit në qendrën e festës tradicionale të lakrorit, një nga aktivitetet më të dashura të verës në juglindje të vendit, organizuar prej vitesh nga Bashkia e Korçës.
Mijëra banorë, turistë dhe vizitorë iu bashkuan festës për të shijuar lakrorin tradicional me dy petë, një prej specialiteteve më të njohura të kuzhinës korçare, të përgatitur sipas recetave të trashëguara brez pas brezi.
Atmosfera festive u shoqërua me muzikë popullore, valle dhe gatime tradicionale, ndërsa banorët e Polenës, zonave përreth dhe qytetit të Korçës festuan së bashku një traditë që vijon të ruhet dhe përcillet ndër breza.
Festa e Lakrorit në Polenë mbetet një ngjarje e rëndësishme për promovimin e kulturës, traditës dhe gastronomisë korçare, duke tërhequr çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.


