Lokalet me muzikë live në Korçë kanë pezulluar aktivitetin ditët e fundit, pas hyrjes në fuqi të një udhëzimi të ri të Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme, i cili përcakton që niveli i zhurmës nga muzika nuk duhet të kalojë 45 decibelë. Sipas operatorëve të biznesit, kufiri i ri është pothuajse i pamundur të zbatohet, pasi më parë lejohej deri në 90 decibelë.

Pronarët e lokaleve shprehen se ky kufizim rrezikon të ndalojë plotësisht muzikën live. Njëri prej tyre, Saimir Poda, njëkohësisht edhe këngëtar, thotë se 45 decibelë janë më pak se niveli normal i zhurmës në një ambient ku ndodhen disa tavolina me klientë, duke e bërë të pamundur organizimin e çdo performance muzikore.
Poda ironizon situatën duke thënë se edhe zhurma e një lavatriçeje gjatë centrifugimit e kalon kufirin e përcaktuar, ndërsa shton se, nëse udhëzimi zbatohet në këtë formë, bizneset do të detyrohen të heqin dorë nga muzika live dhe të ndryshojnë mënyrën e funksionimit.
Bizneset kërkojnë sqarime nga institucionet përgjegjëse dhe rishikimin e udhëzimit, duke argumentuar se respektimi i qetësisë publike duhet të balancohet me vijimin e aktivitetit të lokaleve që prej vitesh janë pjesë e jetës kulturore dhe turistike të Korçës. Sipas tyre, zbatimi i kufirit prej 45 decibelësh rrezikon të heshtë jo vetëm koncertet, por edhe një pjesë të identitetit artistik të qytetit.


