Pogradeci është mbushur me buzëqeshje dhe emocione në edicionin e katërt të “Maratonës së Bebeve”, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, i cili lindi si një nismë sportive në qytetin liqenor dhe rikthehet çdo vit për të sjellë momente të veçanta për familjet.
Në garën simbolike morën pjesë fëmijë të moshës 1 deri në 3 vjeç, të cilët me hapat e tyre të parë u bënë protagonistët e një atmosfere festive. Krahas vogëlushëve nga Pogradeci, në aktivitet u përfshinë edhe fëmijë të familjeve pushuese që po kalojnë sezonin veror në qytet.
Më shumë se një garë, “Maratona e Bebeve” synon të promovojë vlerat familjare, stilin e jetesës aktive dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete sportive e argëtuese që në moshë të hershme.
Prindërit ndoqën me emocion çdo moment të garës, duke mbështetur të vegjlit e tyre me duartrokitje dhe duke krijuar një atmosferë të mbushur me gëzim dhe entuziazëm.
Aktiviteti zhvillohet në kuadër të Maratonës Ndërkombëtare Enkelana, e cila këtë vit organizohet për herë të pestë në Pogradec. Ky event ndërkombëtar pritet të mbledhë sportistë nga rreth 40 vende të botës, duke e promovuar qytetin jo vetëm si një destinacion sportiv, por edhe turistik gjatë sezonit veror.


