BANKAT PRONARE TË TOKAVE NË ZVËRNEC
Pas dy javësh protestash pa ndërprerje, në kulmin e debatit për projektet turistike në Zvërnec, këto dokumente tregojnë një histori tjetër, ndoshta të panjohur për shumë nga ju: Si mijëra hektarë tokë në zonën e Vlorës kanë kaluar nga pronarë privatë në duart e bankave dhe më pas në fonde investimi të krijuara prej tyre.
Të dhënat e publikuara në Open Data tregojnë se dy banka tregtare, ABI Bank dhe Credins Bank, kontrollojnë përmes fondeve të investimit dhe shoqërive komandite mijëra hektarë tokë të llojit pyll, livadh dhe kullotë në jug të vendit.
Sipas dokumenteve që mund të gjenden lirisht, këto prona nuk janë blerë nga bankat për qëllime investimi. Ato janë “prona të riposeduara”, çka do të thotë se kanë kaluar në pronësi të bankave pas proceseve të ekzekutimit të kolateralit për kredi të pakthyera në afat.
Por kush ishin pronarët fillestarë të këtyre sipërfaqeve? Ishin individë apo kompani? Çfarë aktiviteti zhvillonin? Sa kredi kishin marrë dhe për çfarë qëllimi? Si ndodhi që mijëra hektarë tokë në një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar përfunduan në pronësi të institucioneve financiare?
Një nga rastet lidhet me krijimin në qersor 2025, të shoqërisë komandite Bay View Alternative Investment Fund, ku investitori kryesor me 97.03% është ABI Bank. Kapitali i deklaruar i kësaj shoqërie arrin në rreth 1.033 miliardë lekë ose mbi 10.5 milionë euro. Kjo vlerë përbëhet nga një kontribut cash prej 10 milionë lekësh si dhe nga dy prona të kategorive pyll dhe livadh me sipërfaqe totale prej 321.000 m2 ose 32.1 hektarësh në zonën e Poros, Vlorë. Këto toka janë vlerësuar me një çmim prej 32.28 euro/m2, duke arritur një vlerë totale prej rreth 10.4 milionë eurosh, dhe janë përdorur si kontribut në natyrë për krijimin e fondit.
Një rast tjetër lidhet me Green View Alternative Investment Fund, ku investitori dominues është Credins Bank. Kapitali në natyrë i kësaj shoqërie i vlerësuar në Tetor 2021, arrin në rreth 13.4 milionë euro dhe përfaqësohet nga tetë prona të kategorive pyll dhe livadh me sipërfaqe totale prej 1.170.000 m2 ose 117 hektarë. Këto prona janë vlerësuar me 11.46 euro/m2 dhe ndodhen gjithashtu në zonën e Poros, Vlorë.
Ndërsa në nëntor 2020, sipas dokumenteve të disponueshme publikisht, Credins Bank rezulton të ketë kontribuar në krijimin e Sea Land Investment Fund me prona të llojit pyll dhe livadh me sipërfaqe totale prej 2.950.000 m2 ose 295 hektarësh, të vlerësuara me çmimin 10.46 euro/m2, me një vlerë totale prej afro 31 milionë eurosh.
Një element që shoqëron të tre këto struktura investimi është fakti se për secilin prej tyre është hartuar një “Raport Dhënieje Sigurie” nga një auditues ligjor i pavarur, me qëllim vlerësimin e kontributit në kapital në natyrë dhe në para në momentin e regjistrimit të shoqërive komandite. Në vetvete, këta auditues janë subjekte të licencuara dhe të njohura nga shteti për kryerjen e këtyre vlerësimeve. Megjithatë, ajo që ngre interes në këtë rast është jo procedura formale, por fakti se i njëjti rol shfaqet në struktura të ndryshme investimi me vlera të mëdha dhe asete të konsiderueshme toke. Në rastin e Sea Land Investment Fund, sipas të dhënave publike, raporti i vitit 2020 mban firmën e Drejtorit aktual të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, i emëruar në këtë detyrë në tetor të vitit 2024.
Në total, vetëm këto tre struktura investimi kontrollojnë 444.1 hektarë tokë ose 4.441.000 m2, me një vlerë të deklaruar prej dhjetëra milionë eurosh. Të gjitha këto prona ndodhen në zonën e Poros dhe Zvernecit, një territor që prej vitesh ndodhet në qendër të debateve për zhvillimin turistik të bregdetit.
Ajo që ngre më shumë pikëpyetje nuk është vetëm vlera e këtyre pasurive, por rruga që ato kanë ndjekur. Nga prona private të vendosura si kolateral për kredi bankare, në prona të riposeduara nga bankat dhe më pas në kapital themeltar të fondeve të investimit.
Pse u krijuan këto shoqëri komandite? Pse bankat zgjodhën t’i transferojnë tokat në fonde investimi në vend që t’i shisnin ato në treg? Kush do të përfitojë nga zhvillimi i ardhshëm i këtyre sipërfaqeve? Dhe a lidhet ky transformim me projektet e mëdha turistike që po diskutohen prej vitesh në zonën e Zvernecit dhe Nartës?
Për momentin, dokumentet publike japin vetëm një pjesë të përgjigjeve. Ato tregojnë se mijëra hektarë tokë kanë kaluar nga debitorë privatë në pronësi të bankave dhe më pas në fondet e investimit të krijuara prej tyre. Por ende mbetet e paqartë historia e plotë e këtyre pronave: kush i humbi, si i humbi dhe kush pritet të përfitojë prej tyre në të ardhmen.


