Një efektiv policie humb jetën, një tjetër plagoset gjatë operacionit për kapjen e një personi në kërkim në Bodë të Lozhanit
Një operacion policor i zhvilluar në orët e para të mëngjesit në fshatin malor Bodë të Lozhanit ka përfunduar tragjikisht, duke i marrë jetën një efektivi të Policisë së Shtetit dhe duke lënë të plagosur një tjetër.
Sipas informacioneve paraprake, forcat e policisë kishin ndërmarrë një aksion për kapjen e personit në kërkim Violand Bracellari, i konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë. Gjatë afrimit të efektivëve pranë zonës ku dyshohej se qëndronte i kërkuari, ky i fundit ka konstatuar lëvizje të dyshimta dhe ka hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën në krye të detyrës punonjësi i policisë Enea Mekolli, ndërsa është plagosur efektivi Edison Adri, i cili është transportuar për të marrë ndihmën mjekësore.
Pas ngjarjes, forca të shumta policore janë angazhuar në zonë për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa vijojnë kontrollet dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burime pranë policisë bëjnë me dije se Violand Bracellari njihet në zonën e Maliqit për përfshirje në ngjarje të mëparshme kriminale dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartësinë.


