Fusha e Maliqit, një nga zonat me sipërfaqen më të madhe bujqësore në vend, po përballet me ulje të ndjeshme të sipërfaqeve të mbjella me kulturat bazë bujqësore. Fermerët thonë se mungesa e tregut, çmimet nën kosto dhe rritja e shpenzimeve për naftën, pesticidet dhe plehrat kimike po i detyrojnë të reduktojnë prodhimin.
Fermeri Margel Agolli nga fshati Orman tregon se, pas kthimit nga emigracioni dhe investimit në bujqësi, sot po punon me humbje. Sipas tij, kostot e prodhimit për pataten arrijnë deri në 30 lekë për kilogram, ndërsa produkti shitet më lirë në treg.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe fermeri Fuat Orhan nga Rembeci, i cili thekson se rritja e kostove të prodhimit dhe çmimet e ulëta të shitjes kanë bërë që kultivimi i grurit dhe kulturave të tjera të mos jetë më fitimprurës.
Edhe specialisti i bujqësisë pranë Bashkisë Maliq, Kejdi Hasani, pranon se këtë vit ka pasur tkurrje të sipërfaqeve të mbjella, kryesisht për shkak të kostove të larta, konkurrencës nga importet dhe mungesës së sigurisë në treg.
Sipas të dhënave, sipërfaqja e mbjellë me grurë ka rënë nga 3800 në 3500 hektarë, misri nga 4000 në 3800 hektarë, ndërsa patatja nga 700 në vetëm 500 hektarë. Edhe kultura të tjera bujqësore kanë shënuar rënie këtë sezon.


