Një mbrëmje e veçantë artistike, e mbushur me emocion dhe reflektim, u zhvillua në sallën e shfaqjeve “Lasgush Poradeci” në Pogradec, ku u ngjit në skenë monodrama “And’rra e Nan’ Terezës – Njerëzorja Hyjnore”, kushtuar figurës së madhe të Nënë Terezës.
Nën interpretimin e aktores Justina Aliaj dhe regjinë e Gëzim Kame, publiku përjetoi një rrëfim të ndjerë mbi jetën, sakrificën dhe filozofinë e humanizmit që përfaqëson kjo figurë botërore.
Regjisori Kame e cilësoi monodramën si një ndër format më sfiduese të teatrit, duke theksuar se pesha e interpretimit bie e gjitha mbi një aktor të vetëm. Ai vlerësoi maksimalisht përkushtimin dhe profesionalizmin e Justina Aliajt, e cila arriti të sjellë në skenë me ndjeshmëri dhe forcë artistike një figurë kaq komplekse si Nënë Tereza.
Përmes ndërthurjes së interpretimit dhe muzikës, shfaqja solli jo vetëm momente nga jeta e saj, por edhe mesazhin e fuqishëm për dashurinë ndaj njerëzve dhe përkushtimin ndaj më të dobëtëve.
Aktorja Justina Aliaj e përshkroi këtë rol si një ndër më të vështirët dhe më të nderuarit në karrierën e saj, duke theksuar emocionet dhe përgjegjësinë e madhe që mbart interpretimi i një figure të tillë në një monodramë.
Shfaqja u mirëprit nga publiku pogradecar, por edhe nga përfaqësues diplomatikë, përfshirë ambasadorin e India në Tiranë, duke e kthyer këtë mbrëmje në një aktivitet me vlera artistike dhe kulturore.
Ky homazh skenik rikujtoi edhe një herë se figura e Nënë Terezës mbetet një nga krenaritë më të mëdha të shqiptarëve dhe një simbol i përjetshëm i humanizmit në mbarë botën.


