Panairi i enëve prej balte, traditë e trashëguar në javën e Pashkëve në Korçë.
Atmosfera festive e Pashkëve ka përfshirë qytetin e Korçës, ku në sheshin përpara Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” po zhvillohet panairi tradicional i enëve prej balte.
Ky panair, tashmë i kthyer në një simbol të kësaj periudhe, po tërheq jo vetëm korçarët, por edhe vizitorë të shumtë që zgjedhin qytetin më të madh në juglindje për të përjetuar nga afër traditat e Javës së Shenjtë.
Të pranishmit shprehen se ruajnë një lidhje të fortë me këtë traditë, duke blerë çdo vit enë balte për shtëpitë e tyre. Sipas tyre, këto objekte nuk janë thjesht zbukurime, por mbartin një domethënie të thellë shpirtërore: njeriu vjen nga balta dhe në baltë kthehet, një simbolikë që lidhet ngushtë me besimin dhe reflektimin gjatë kësaj periudhe.
Panairi gjithashtu sjell në vëmendje mjeshtërinë e zonave të Devollit te Sipërm, veçanërisht të fshatit Bradvicë dhe zonave përreth, të njohura historikisht për përpunimin e baltës. Sipas burimeve lokale, baltepunuesit e këtyre fshatrave kanë qenë pjesë e panaireve në Korçë që më shumë se një shekull më parë, duke e kthyer këtë traditë në një trashëgimi të vyer kulturore.
Panairi i enëve prej balte mbetet një nga aktivitetet më të veçanta të Pashkëve në Korçë, duke ndërthurur besimin, historinë dhe artizanatin në një atmosferë që vijon të tërheqë çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë.


