Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka vijuar kontrollet dhe veprimet operative, duke arrestuar, proceduar penalisht dhe shpallur në kërkim disa shtetas për shkelje dhe vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë:
- P. C., 20 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi;
- A. P., 44 vjeç, banues në Tiranë, pasi në qytetin e Bilishtit nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar automjetin, të cilin e drejtonte në gjendje të dehur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim E. S., 35 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar se ka mashtruar një shtetas duke i marrë një shumë parash me premtimin për punësim në Slloveni.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë u referuan materiale shtesë në Prokurori për A. A., 43 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Korçë, i dyshuar për mashtrim me shitjen e një automjeti. 43-vjeçari është shpallur në kërkim më datë 02.02.2026 për të njëjtën vepër penale dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ndërkohë, Specialistët e Komisariatit të Policisë Pogradec nisën procedim penal për N. T., 26 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë kontrollit në lokalin në përdorim të tij rezultoi se ushtronte aktivitet të paregjistruar. Gjithashtu, në celularin e tij u konstatuan faqe për baste sportive, i cili u sekuestrua si provë materiale.
Në vijim të ngjarjes së raportuar një ditë më parë në Pogradec, ku një 15-vjeçar kishte thyer xhamin e dritares së një banese, Policia bëri me dije se ka nisur procedimi penal edhe për një 13-vjeçar, i dyshuar se ka publikuar në rrjete sociale video me përmbajtje kërcënuese lidhur me këtë ngjarje.
Po ashtu, Specialistët e Komisariatit të Policisë Maliq nisën procedim penal për G. M., 31 vjeç, banues në fshatin Sheqeras, i dyshuar për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.




