Me këngë, trokitje në dyer dhe zëra fëmijësh, Kolendrat vijojnë të mbeten një nga traditat më të bukura të pragut të Krishtlindjes. Kjo festë e hershme popullore lajmëron ardhjen e Krishtit dhe uron begati për vitin që vjen.
Në fshatin Rehovë, si në shumë zona të juglindjes, fëmijët dalin shtëpi më shtëpi duke kënduar këngën karakteristike të Kolendrave dhe duke trokitur në dyer. Kur dera hapet, ata shpërblehen me dhurata simbolike, si fruta, kulace apo ushqime të tjera tradicionale.
Banoret e Rehovës, Edmira Tërpo dhe Vali (Cali) Cukali, kujtojnë me nostalgji kohën kur edhe vetë dilnin për Kolendra, ndërsa sot janë ato që hapin dyert për fëmijët.
Edmira Tërpo tregon:
“Po, kemi dalë kur kemi qenë të vogla, çupa e djem bashkë. Në çdo shtëpi kishim xhole, na jepnin fruta, kulace. Për miqtë ishte grurë, për të tjerët misër. Kalonim shumë mirë. Deri në vitin 1967 e festonim, pastaj jo më. Kjo simbolizon lindjen e Krishtit, fëmijët trokasin dhe thonë ‘po vjen Krishti’.”
Ndërsa Vali Cukali shpjegon domethënien e kësaj feste:
“Kolendrat janë një festë e vjetër popullore, me rrënjë pagane, që simbolizon ardhjen e Krishtlindjes dhe të vitit të ri, por edhe bukën e re. Përgatiteshin kulace dhe fëmijët dilnin me xhole dhe torba duke kënduar këngën karakteristike. Sot, tradita po humbet dhe ne duam ta ruajmë, duke rikthyer edhe fëmijët që kanë emigruar.”
Kolendrat festohen nga 20 deri më 24 Dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjes, duke mbetur një trashëgimi kulturore që përcillet brez pas brezi dhe që vazhdon të bashkojë komunitetin rreth vlerave të besimit, traditës dhe solidaritetit.


