Ambicia e shprehur publikisht nga ish-deputeti Ervin Salianji për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike, nuk i ka pëlqyer kolegut të tij demokrat Edmond Spaho. Siç duket, kolegu ka gjetur rastin të rikthejë në kujtesë përplasjet e vjetra me Salianjin.
Intervista është dhënë në një televizion dhe është pasqyruar në median e drejtuar nga botuesi Mero Baze, të cilën më pas e ka shpërndarë Edmond Spaho, duke bërë dhe shënimet e veta, sigurisht me ironi dhe tallje.
“Uaaaa… por kur do konkurosh? Apo kur te piqen rrushte? Ta mban? Dili Berishes perballe. Po me Mulin ke folur qe do konkurosh per kryetar partie? Leri p.rdhet!
Lere pastaj me ato protestat qe na shkrive. Kur do i fillosh apo ne Gusht kur te piqen rrusht e rrushit? Rregullo dhembet njehere sic rregullove bukuranet e tjera pastaj llomotisim per protesta masive”, shkruan Edmond Spaho për kolegun demokrat Ervin Salianji.
Ndërkohë, komentuesit i kanë dalë në mbështetje këtij të fundit. Ata thonë se Edmond Spaho, Sali Berisha dhe të tjerët në Partinë Demokratike, të cilët ata i quajnë si “të vjetërit”, duhet të lënë brezin e ri të ecë përpara dhe jo ta pengojnë.
Madje, disa të tjerë e kryqëzojnë deputetin Edmond Spaho duke i thënë se tashmë është bërë palë me botuesin Mero Baze, të cilin demokratët e quajnë mbështetës të pushtetit të Edi Ramës.
Por përplasja e Edmond Spahos me Ervin Salianjin nuk është e para. Edhe në vitin 2021, debatet mes tyre rrodhën në media, kur njëri ishte i reshtuar krah Sali Berishës e tjetri krah Lulzim Bashës, në betejën e këtyre dy të fundit për të marrë drejtimin e PD.
Mesa duket, inatet e vjetra mes dy kolegëve të së njëjtës forcë politike nuk janë sheshuar ende dhe kanë rinisur të dalin në sipërfaqe.


