Ilir dhe Margarit Tasellari, janë dy vëllezër nga Pogradeci. Rreth të dyzetave, me një diferencë moshe prej 4 vjetësh. Kanë çelur së bashku një restorant në Tushemisht, i cili është nga më të njohurit e zones.
Deri këtu duket një histori e zakonshme, por nuk është dhe aq…
Para disa vitesh, ata braktisën krishtërimin dhe përqafuan myslimanizmin, histoti e cila kohë më parë çuditi edhe biznesmenin Altin Bamllari i cili shkruante.
“Kur i takova doja ta pyesja, qysh e pse ndërroi fe. Si ka mundësi që dy vëllezër të krishterë të konvertohen në myslimanë sot, ndërkohë nëpër botë, më shumë tërthor sesa direkt, islami shigjetohet herë si një fe e prapambetur e herë si truall që nxjerr terroristë?
-Kush flet me këtë gjuhë, s’di asgjë për islamin, nis bisedën Giti. Mos ta harxhojmë kohën me histori se ma do mendja duhet të kesh lexuar. Po të shpjegoj ç’ndodhi me ne. Ashtu siç e di, Tushemishti është fshat i krishterë. Si ngado në Shqipëri, ne s’i kemi patur problem martesat me familjet myslimane. Është e vërtetë që në Pogradec të krishterët më shpesh marrin nuse sesa japin, por kjo nuk vë në dyshim bashkëjetesën. E pra, ne të tre, vëllai, unë dhe motra, u martuam me njerëz të besimit tjetër. Në një nga tre familjet, njerëzit e shtëpisë ishin besimtarë praktikantë. –Dmth jo si puna ime, ndërhyj unë me shaka, që nuk e di as vetë pse quhem mysliman, ndërkohë që jam ateist.
-Lëviz vendit, më drejtohet me seriozitet Giti. Qofsh ç’të duash, por mos e moho Zotin, ndërkohë shushurit një lutje në arabisht. Feja, vijon ai, vjen natyrshëm. S’ka imponim. Askush s’na detyroi ne të pranojmë këtë besim që na lumturon çdo ditë. Shyqyr Zotit, jemi të lirë për të zgjedhur.
Unë hap sytë. Nuk dyshoj në asnjë fjalë të tij. Jam kureshtar të di pse la një besim për një tjetër.
-Dëgjo! Familja ime ka qenë e krishterë dhe ne kemi ruajtur besimin edhe në kohë të vështira. Festonim fshehurazi ditët e emrave, Pashkët dhe Krishtlindjet. Krishtërimi është feja më pranë islamit se çdo fe tjetër. Thjesht e devijuan rrugës. Mbase qëllimisht. Unë shkoja në Kishë të dielave dhe një ditë kuptova që mënyra e adhurimit nuk më afronte me Zotin. Shumë fallcitet.
Shumë rregulla, temjan dhe ikona që duheshin puthur. E pse? Për ç’arsye? Asnjëherë nuk ndjeva ngrohtësinë e Zotit për të cilin falesha. Kur përqafova islamin para 5 vjetësh, gjithçka ndryshoi në jetën time. Sa herë që unë i afrohem Të Madhërishmit një pëllëmbë, ai më afrohet dhjetëfish. Nuk kam lënë një namaz pa falur në këto 5 vjet. Asnjë. Ti mbase s’më beson po të të tregoj ç’lehtësi ndiej në shpirt mbas çdo falje.
-Po bota? Çfarë tha bota kur ndërruat besim? Po prindërit? Si e pritën ata këtë ndryshim drastik?
-Nuk ishte e lehtë. Në fillim kjo gjë nuk iu pëlqeu fare. Iu duk e panevojshme. E çuditshme. E dyshimtë. U vinte turp nga fshati. Vonë e kuptuan që djemtë e tyre u bënë edhe më të mirë, më të gjindshëm, më të dashur. Jo se na ka munguar ndonjëherë dashuria, por më përpara nuk e njihnim fuqinë e saj. Ne jemi të gjithë njësh. Plotësojmë njëri-tjetrin. Nuk jam zënë një herë të vetme me tim vëlla.
Ngela pa fjalë. Për të thyer disi bisedën thërras kamarierin. Konfirmoj prej tij rrëfimin e Gitit. – Po këta s’dinë të thonë një fjalë të keqe brre, jo më të shahen. S’ka shans!”, e përshkruan Bamllari takimin me vëllezërit.




