Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka shënuar një rekord të ri historik, duke tejkaluar që në 10 muajt e parë të vitit 2026 numrin e përgjithshëm të pasagjerëve të regjistruar gjatë gjithë vitit 2025.
Sipas të dhënave të siguruara nga Ekofin.al, nga janari deri në tetor 2026, në aeroport kanë udhëtuar 12,049,184 pasagjerë, kundrejt 11,640,044 pasagjerëve të regjistruar gjatë gjithë vitit të kaluar. Kjo përfaqëson një rritje prej 19.6%, ose rreth 2 milionë pasagjerë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Vetëm gjatë muajit tetor, aeroporti është përdorur nga 1,229,258 pasagjerë, me një rritje prej 17.2% krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.
Rritja e trafikut ajror është reflektuar edhe në numrin e fluturimeve. Gjatë periudhës janar–tetor 2026 janë regjistruar 70,408 lëvizje avionësh, 16% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Edhe në këtë tregues është tejkaluar bilanci i gjithë vitit të kaluar.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të udhëtimeve drejt destinacioneve ndërkombëtare. Gjatë 10-mujorit janë regjistruar mbi 6 milionë pasagjerë në dalje, ndërsa numri i atyre në mbërritje ka qenë pothuajse i njëjtë.
Ndërkohë, nëntori ka nisur me ritme të larta, me rreth 300 mijë pasagjerë vetëm gjatë 10 ditëve të para. Fluks i shtuar pritet edhe gjatë festave të 28 dhe 29 Nëntorit, si nga shqiptarët që udhëtojnë jashtë vendit, ashtu edhe nga bashkatdhetarët që kthehen në Shqipëri.
Paralelisht me rritjen e trafikut, në aeroport po vijon një program investimesh prej 40 milionë eurosh për zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës. Ndërhyrjet përfshijnë zgjatjen e pistës në 3,000 metra, zgjerimin e terminalit, shtimin e portave të imbarkimit dhe rritjen e kapaciteteve të parkimit të avionëve.
Me mbi 12 milionë pasagjerë në vetëm 10 muaj dhe investime të reja infrastrukturore, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të konsolidojë pozicionin e tij si një nga nyjet kryesore të transportit ajror në rajon.


