Qentë endacakë vijojnë të mbeten një problem shqetësues për qytetarët në Korçë. Rasti më i fundit është ai i 74-vjeçares Florinda Zoga, e cila pak ditë më parë u sulmua dhe u kafshua nga tre qen në rrugë, duke përfunduar në spital me dëmtime në të dyja këmbët.
E moshuara tregon se ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, teksa kishte dalë për të marrë qumështin. Ajo u rrëzua në tokë pas sulmit dhe u shpëtua nga disa kalimtarë, të cilët larguan qentë dhe e ndihmuan të shkonte në spital, ku mori ndihmën mjekësore dhe iu qepën plagët.
Florinda Zoga tregon se ky nuk është rasti i vetëm në familjen e saj, pasi edhe djali është kafshuar nga qentë së fundmi. Sipas saj, numri i qenve endacakë është veçanërisht i lartë në zonën e unazës së qytetit, duke krijuar pasiguri për banorët.
E kontaktuar jashtë kamerave, Bashkia e Korçës pranon problematikën dhe bën me dije se ka ngritur një strehë për qentë endacakë, ku kryhet sterilizimi i tyre dhe më pas dërgohen për adoptim.
Sipas përfaqësuesve të bashkisë, një tjetër problem mbetet edhe braktisja e kafshëve nga pronarë të papërgjegjshëm, të cilët i lënë ato në rrugë.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë më shumë masa për menaxhimin e qenve endacakë, pasi rastet e sulmeve dhe kafshimeve vijojnë të përbëjnë shqetësim për sigurinë e tyre.


