Lela është nga Sheqerasi i Maliqit, por prej më shumë se 20 vitesh jeton në Athinë. Sot ajo është një grua e suksesshme dhe drejton dy restorante, por rruga deri këtu ka qenë e gjatë dhe e vështirë.
Ka pasur edhe ditë kur, siç tregon vetë, nuk kishte bukë për të ngrënë.
Jeta e saj mori një tjetër drejtim kur djali i saj, Aleksi, pësoi një paralizë dhe më pas kaloi në koma. Pas kësaj, ai u diagnostikua edhe me epilepsi.
Për Lelën nisën vite të tëra mes spitaleve, fillimisht në Shqipëri e më pas në Greqi. Ditë e net pranë të birit, me frikën dhe pasigurinë që shoqëron prindërit e fëmijëve me probleme shëndetësore.
Por ajo nuk u dorëzua.
Me kalimin e viteve, Lela arriti të ndërtojë jetën e saj në Greqi dhe, me ndihmën e vajzës së saj që u kthye nga Australia, hapi dy restorante.
Megjithatë, suksesi ekonomik nuk është ajo që e bën të ndihet e plotësuar.
Sot, ajo ka një tjetër mision: të krijojë një qendër për fëmijët ndryshe në Shqipëri dhe Greqi.
Lela thotë se kjo dëshirë lindi edhe nga ajo që ka parë dhe përjetuar vetë si nënë. Shumë prindër të fëmijëve me aftësi të veçanta jetojnë me të njëjtën frikë: çfarë do të ndodhë me fëmijën e tyre kur ata të mos jenë më?
“Po vdiqa unë, çfarë do të ndodhë me fëmijën tim nesër?”, është pyetja që, sipas Lelës, rëndon mbi shumë familje.
Pikërisht për këtë arsye ajo ka vendosur të flasë hapur për historinë e saj, për vitet e vështira, për djalin e saj dhe për ëndrrën që tashmë kërkon ta kthejë në realitet.
Rrëfimi i Lelës është një histori për një nënë që nuk u dorëzua përballë vështirësive dhe që, pasi luftoi për familjen e saj, sot kërkon të bëjë diçka edhe për familje të tjera.


