Fotografi të rralla, të realizuara më shumë se një shekull më parë, sjellin në vëmendje një periudhë të rëndësishme të historisë së juglindjes së Shqipërisë. Në prag të përkujtimit të 11 Nëntorit, ditës së armëpushimit që shënoi fundin e Luftës së Parë Botërore, në Korçë është çelur një ekspozitë me fotografi të realizuara nga togeri francez Silhol gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri në vitin 1917.
Gjatë prezantimit të ekspozitës, historiani francez Gregor Marchal rrëfeu itinerarin e oficerit, i cili kishte shërbyer në Korçë dhe kishte udhëtuar në disa zona të vendit, deri në Gramsh, Pogradec, Maliq dhe Tomorr. Përmes aparatit fotografik, Silhol dokumentoi jo vetëm praninë ushtarake franceze, por edhe peizazhet, jetën e përditshme dhe banorët vendas.
Sipas historianit Marchal, fotografitë kanë vlera të veçanta historike, pasi pasqyrojnë interesin e oficerit francez për popullsinë shqiptare dhe jetën e saj në atë periudhë.
Në çeljen e ekspozitës ishte e pranishme edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, e cila e vlerësoi aktivitetin si një mundësi për të rikthyer në kujtesë historinë e përbashkët dhe lidhjet mes dy vendeve. Ajo theksoi simbolikën e 11 Nëntorit si ditë e paqes dhe përkujtimit të viktimave të luftës.
E pyetur për ngjashmëritë mes protestave në Francë dhe Shqipëri, ambasadorja shmangu komentet krahasuese, duke u shprehur se dhuna dënohet në të dyja vendet.
Ekspozita sjell kështu një dëshmi të rrallë fotografike për historinë e Korçës dhe zonave përreth, duke dokumentuar gjurmët e pranisë franceze në Shqipëri dhe marrëdhëniet e saj me popullsinë vendase gjatë Luftës së Parë Botërore.


