Studiuesja shqiptare Dr. Kozeta Miliku është vlerësuar me titullin prestigjioz “Canada Research Chair” (CRC) në fushën e të ushqyerit dhe shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve.
Ky vlerësim jepet nga qeveria kanadeze për studiues dhe shkencëtarë me rezultate të spikatura në fushat e tyre. Dr. Miliku është përzgjedhur për kategorinë Tier 2, e cila u akordohet studiuesve të rinj me potencial të lartë për të udhëhequr kërkimet shkencore në të ardhmen.
Puna e saj kërkimore përqendrohet te ushqyerja e fëmijëve dhe prindërve, si dhe ndikimi i saj në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve, përfshirë obezitetin dhe shëndetin kardiometabolik. Vëmendje të veçantë në studimet e saj ka marrë ndikimi i ushqimeve ultra të përpunuara në dietën e fëmijëve dhe pasojat që konsumi i lartë i tyre mund të ketë në shëndetin fizik dhe mendor.
Në kuadër të këtij vlerësimi, Universiteti i Torontos, ku Dr. Miliku zhvillon aktivitetin e saj akademik, do të përfitojë një financim prej 100 mijë dollarësh kanadezë në vit, për një periudhë pesëvjeçare, në mbështetje të kërkimeve të saj shkencore.
Dr. Kozeta Miliku është drejtuese e programit kërkimor për shëndetin kardiometabolik pranë studimit CHILD dhe njëkohësisht profesoreshë asistente në Departamentin e Shkencave të Ushqyerjes në Universitetin e Torontos. Ajo ka përfunduar doktoraturën në Epidemiologji Klinike në Universitetin Erasmus në Holandë, ndërsa formimin e saj e ka nisur në Shqipëri, ku është diplomuar edhe si mjeke në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
Në korrik të vitit 2025, Dr. Miliku u prezantua edhe nga gazeta kombëtare kanadeze “The Globe and Mail” si një nga emrat premtues të brezit të ri të studiuesve në Kanada.


