Ka nisur edicioni i tetë i kolonisë së piktorëve në Kolonjë, një aktivitet që mbledh artistë nga Shqipëria dhe trevat shqiptare. Përgjatë katër ditëve, piktorët do të sjellin në telajo peizazhet, ngjyrat e vjeshtës dhe bukuritë natyrore të kësaj krahine.
Organizatori i kolonisë, Fatmir Toçi, bën të ditur se në bashkëpunim me Bashkinë Kolonjë po punohet për realizimin e një projekti të rëndësishëm kulturor: ngritjen e një galerie të arteve pamore në qytetin e Ersekës. Synimi është që punimet e artistëve pjesëmarrës, të cilët vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora, të bëhen pjesë e fondit të kësaj galerie, me fokus të veçantë peizazhet dhe pamjet e zonës.
Kolonja vijon të mbetet një burim frymëzimi për artistët, të cilët rikthehen vit pas viti për të pikturuar natyrën dhe karakteristikat e saj. Disa prej tyre tregojnë se kanë krijuar një lidhje të veçantë me këtë krahinë, duke vlerësuar veçanërisht koloritin e vjeshtës dhe bukuritë që ofron peizazhi.
Për piktorët, pjesëmarrja në këtë koloni është një mundësi për të ndarë përvojat artistike, por edhe për të zbuluar përmes artit një tjetër dimension të Kolonjës.
Në përfundim të aktivitetit, punimet e realizuara gjatë katër ditëve do të prezantohen në një ekspozitë të veçantë në Ersekë. Krahas promovimit të vlerave natyrore dhe turistike të zonës, kjo nismë synon të hedhë themelet e një hapësire të re kulturore, që do të pasurohet ndër vite me krijimet e artistëve pjesëmarrës.


