Rreth 55 pilotë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës janë bërë pjesë e edicionit të 14-të të kampionatit ndërkombëtar të fluturimeve “Korça Open Air”. Përgjatë katër ditëve, fusha e aviacionit në Lumalas është kthyer në arenën e garave të precizionit, ku pilotët sfidojnë njëri-tjetrin për të realizuar uljen sa më të saktë.
Krahas garuesve shqiptarë, këtë vit në kompeticion marrin pjesë edhe pilotë nga vende të ndryshme, ndërsa për herë të parë është përfaqësuar edhe Rusia. Sipas organizatorit Alket Islami, niveli i garës është mjaft i lartë, pasi pjesëmarrësit renditen mes 50 pilotëve më të mirë në Europë dhe në botë.
Mes sportistëve pjesëmarrës është edhe Ana Alamova nga Republika Çeke, për të cilën kjo është hera e parë që viziton Shqipërinë. Ajo shprehet e kënaqur me organizimin e aktivitetit, ndërsa veçon kushtet atmosferike dhe erën si faktorë që e kanë bërë garën më sfiduese.
Një tjetër veçanti e këtij edicioni është pjesëmarrja e familjes Shala nga Kosova, e cila përfaqëson disa breza të përfshirë në sportin e fluturimeve. Në garë janë edhe Arbër Shala, 15 vjeç, dhe Unik Shala, vetëm 8 vjeç, të cilët kanë nisur të fluturojnë që në moshë të vogël. Për Arbërin, një nga rivalët kryesorë në këtë kompeticion është babai i tij, ndërsa Uniku tregon se tashmë fluturon i vetëm.
Përveç garave të precizionit, “Korça Open Air” ofron edhe fluturime me paramotorë, aktivitete aeromodelimi për fëmijët dhe një program festiv për publikun.
I kthyer tashmë në një traditë për qytetin, kampionati synon të promovojë sportet ajrore dhe Korçën si një destinacion të rëndësishëm për turizmin e aventurës.


