Një moment emocionues është shënuar në Spitalin e Korçës, ku 38-vjeçarja Eva Cane ka përfunduar ciklin e gjashtë dhe të fundit të kimioterapisë, pas diagnostikimit me tumor ovarian në stadin e tretë.
Diagnoza e marrë në muajin maj i ndryshoi jetën brenda pak ditësh, duke e përballur me një nga betejat më të vështira. Por mes trajtimeve, pasigurive dhe ditëve të vështira, Eva gjeti forcën për të vijuar përpara, e mbështetur nga familja dhe mjekët që e shoqëruan gjatë këtij rrugëtimi.
Ajo kujton momentin kur mësoi për sëmundjen, duke treguar se gjithçka ndodhi papritur, ndërsa shpreh mirënjohjen për mjekun që kreu ndërhyrjen kirurgjikale dhe për nënën, e cila i është kthyer në mbështetjen më të madhe.
Rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë. Ka pasur ditë të mbushura me forcë dhe optimizëm, por edhe momente lodhjeje emocionale, kur lotët dhe dëshira për të qëndruar vetëm kanë qenë pjesë e përditshmërisë së saj.
Sot, në përfundim të kimioterapisë, Eva përcjell një mesazh për të gjithë ata që po përballen me sëmundje onkologjike. Ajo u bën thirrje të mos e humbasin shpresën, por edhe të mos ndihen të detyruar të jenë gjithmonë të fortë.
Momenti më emocionues ishte kur Eva iu afrua këmbanës së fitores dhe i ra asaj, duke shënuar përfundimin e trajtimit. Një gjest simbolik, që këtë herë nuk e dedikoi vetëm për veten, por edhe për të gjithë pacientët, familjarët dhe njerëzit që po përjetojnë të njëjtën betejë.
“Luftoni! Luftoni, sepse jeta është e bukur dhe sa ka jetë, ka shpresë”, ishte mesazhi i saj prekës.
Një kambanë që këtë herë nuk lajmëroi thjesht fundin e një trajtimi, por përcolli shpresë dhe forcë për të gjithë ata që vazhdojnë të luftojnë.


