Një konflikt mes dy personave ka përfunduar me plagosjen me thikë të një 60-vjeçari pasditen e sotme në qytetin e Korçës. Policia ka bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar.
Ngjarja është regjistruar në afërsi të postës, ku një 65-vjeçar, i identifikuar me inicialet N.H., dyshohet se ka goditur me mjet prerës një 60-vjeçar pas një konflikti të çastit.
Si pasojë, i plagosuri ka marrë një dëmtim të lehtë në zonën e qafës dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas incidentit, policia ka ndërhyrë duke kapur të dyshuarin, ndërsa vijojnë veprimet procedurale për arrestimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


