Paketa e re fiskale e prezantuar nga qeveria pritet të ndikojë në sektorin e hoteleri-turizmit në Korçë dhe në juglindje të vendit. Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm ngre shqetësimin se ndryshimet në taksa do të rrisin kostot për bizneset dhe mund të sjellin shtrenjtim të shërbimeve për turistët.
Bujar Muço, nënkryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, thotë se ndryshimet e propozuara përbëjnë një barrë shtesë për një sektor që vitet e fundit ka pasur turizmin ndër prioritetet kryesore të zhvillimit.
Muço shprehet se rritja e TVSH-së nga 6% në 10%, e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% dhe e tatimit mbi fitimin nga 15% në 17% do të ndikojë drejtpërdrejt te bizneset e hoteleri-turizmit.
Një tjetër problem, sipas tij, është mungesa e konsultimit me grupet e interesit përpara prezantimit të këtyre masave. Ai thekson se strukturat akomoduese në Korçë kanë fluks të përqendruar kryesisht në fundjavë, ndërsa gjatë ditëve të tjera të javës përballen me numër më të ulët vizitorësh dhe duhet të përballojnë të njëjtat kosto operative.
Muço paralajmëron se rritja e kostove mund t’i detyrojë subjektet të rishikojnë çmimet, duke ndikuar në konsumin e vizitorëve dhe në numrin e turistëve që zgjedhin Korçën si destinacion. Ai i bën thirrje qeverisë të rishikojë masat e parashikuara në paketën fiskale, duke marrë në konsideratë specifikat e sektorit dhe rëndësinë e turizmit për ekonominë e juglindjes së vendit.


