Gazifikimi i Korçës u prezantua si një nga projektet e rëndësishme për zgjidhjen e problemit të ngrohjes në qytet. Por, ndërsa qytetarët përgatiten për një tjetër dimër, rrjeti i shpërndarjes së gazit ende nuk ka hyrë në fazën e ndërtimit.
Në nëntor të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes Shqipërisë, kompanisë shtetërore Albgaz dhe kompanisë azerbajxhanase SOCAR. Projekti parashikohej të niste gjatë vitit 2025 dhe të përfundonte në vitin 2027.
Premtimi u përsërit edhe në shkurt të vitit 2025, kur kryebashkiaku Sotiraq Filo deklaroi se punimet për gazifikimin pritej të nisnin brenda atij viti. Projekti u prezantua si një alternativë për ngrohjen e banesave dhe uljen e kostove për familjet dhe bizneset.
Por viti 2025 kaloi pa nisjen e punimeve të ndërtimit. Në dhjetor të po atij viti, Faktoje.al raportoi se projekti vijonte në fazat paraprake dhe se ende nuk kishte punime në terren. Sipas përgjigjes së Bashkisë Korçë për median, pritej marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe asaj azerbajxhanase.
Gjatë vitit 2026 pati zhvillime të tjera në kuadër të përgatitjes së projektit. Në maj, Bashkia Korçë njoftoi një takim koordinues me konsulentët teknikë, ndërsa në shtator u bë e ditur nisja e studimeve gjeoteknike dhe gjeofizike në terren. Këto studime synojnë të përcaktojnë kushtet e tokës për shtrirjen e tubacioneve, por nuk përbëjnë nisjen e punimeve për ndërtimin e rrjetit.
Deri në tetor të vitit 2026, gazifikimi i Korçës mbetet në fazën përgatitore, pa nisur ndërtimi i rrjetit të shpërndarjes. Mbetet për t’u sqaruar se kur do të fillojnë punimet konkrete dhe nëse afati i shpallur për përfundimin e projektit në vitin 2027 do të mund të realizohet.
Për familjet korçare që përdorin dru apo forma të tjera ngrohjeje, gazifikimi vijon të jetë një projekt i premtuar, por ende jo një shërbim i vënë në dispozicion të qytetarëve.


