Maliq – Tharja e Kënetës së Maliqit u paraqit për dekada nga kinematografia shqiptare e periudhës komuniste si një sukses i pushtetit, ndërsa dokumentet historike zbulojnë një tjetër realitet, atë të inxhinierëve të dënuar për sabotim dhe të burgosurve politikë që punuan në kushte të rënda.
Përballja mes propagandës së ekranit dhe fakteve historike u vu në qendër të një aktiviteti të zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Dhimitër Orgocka” në Maliq, në kuadër të platformës “Mësojmë nga e Kaluara – 44–91”, një nismë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Në fokus ishte filmi “Vitet e para”, i vitit 1965, i mbështetur në romanin “Këneta”, i cili përcolli versionin zyrtar të regjimit komunist për tharjen e kënetës. Sipas përfaqësuesve të Autoritetit, dokumentet autentike dëshmojnë se pas këtij projekti fshihej edhe një histori persekutimi ndaj profesionistëve dhe të burgosurve politikë.
Skënder Vrioni, përfaqësues i Autoritetit, u shpreh se filmat e realizmit socialist ndikuan në formësimin e kujtesës kolektive, duke paraqitur një version që, sipas tij, nuk përputhet me dokumentet historike. Ai theksoi se ndër personat e përfshirë në tharjen e kënetës kishte inxhinierë të dënuar dhe profesionistë që u pushkatuan nga regjimi.
Ndërsa Rovena Rozhani bëri të ditur se gjatë aktivitetit u analizuan skena nga filmi, të cilat u ballafaquan me dosje dhe dokumente historike, përmes diskutimeve me historianë dhe studiues të artit. Sipas saj, qëllimi ishte të evidentoheshin shtrembërimet e së vërtetës dhe faktet që nuk u pasqyruan në versionin artistik të kohës.
Përfaqësuesit e Autoritetit theksuan gjithashtu rëndësinë e dëshmive të familjarëve të personave të persekutuar, duke e cilësuar këtë proces si një formë ndjese ndaj atyre që për dekada nuk patën mundësi të tregonin historinë e të afërmve të tyre.
Përmes dokumenteve dhe dëshmive, nisma synon të rikthejë në vëmendje fatin e njerëzve që u dënuan nga regjimi komunist dhe të nxisë një rivlerësim të mënyrës se si ngjarjet historike u pasqyruan në art dhe propagandë.
Tharja e Kënetës së Maliqit mbetet një ngjarje me rëndësi për historinë e zonës, por dokumentet e paraqitura risjellin në vëmendje edhe anën tragjike të saj. Përtej versionit të përcjellë nga kinematografia e kohës, mbetet e hapur pyetja nëse në të ardhmen do të realizohet një film që të pasqyrojë edhe historinë e inxhinierëve dhe të burgosurve politikë.


