MALIQ
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, menjëherë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi R. R., 69 vjeç, nisën procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit A. K., 30 vjeç, banues në Maliq, për veprën penale “Kanosja”.
30-vjeçari, gjatë ditës së sotme, ka kanosur me mesazh në rrjetet sociale shtetasin R. R., 69 vjeç, babain e shtetases I. R., gazetare.
Ky shtetas dyshohet se e ka kanosur 69-vjeçarin për shkak të detyrës së vajzës së tij, shtetases I. R., e cila, ditën e djeshme në Korçë, gjatë ushtrimit të detyrës si gazetare, pati një konflikt verbal me një deputet, në përfundim të një aktiviteti elektoral.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe mbrojtjen e tyre gjatë ushtrimit të detyrës, në përputhje me ligjin.


