Fermerët e Maliqit vijojnë të presin dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit 2026.
Reshjet intensive përmbytën sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore, ndërsa fermerëve iu premtua se dëmet do të evidentoheshin dhe do të kompensoheshin.
Sipas fermerëve, vetëm në një prej kompanive që kultivon bimë medicinale, dëmet në mbi 80 hektarë tokë llogariten në rreth 500 mijë euro. Ata thonë se parcelat janë verifikuar nga strukturat përkatëse, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë pagesë.
Edhe fermerë të tjerë të zonës raportojnë humbje të konsiderueshme. Julian Guri thotë se nga përmbytjet iu dëmtuan 30 hektarë me patate dhe 30 hektarë me grurë, ndërsa dëmi sipas tij arrin në qindra milionë lekë.
Sipas burimeve, evidentimi i dëmeve është kryer nga Ministria e Bujqësisë, ndërsa procesi për çeljen e fondeve për dëmshpërblimin mësohet se është ende në pritje të procedurave financiare.
Pas më shumë se 7 muajsh, fermerët kërkojnë zgjidhjen e situatës dhe paralajmërojnë rikthimin në protesta, deri në bllokimin e rrugëve nacionale, nëse nuk marrin dëmshpërblimin për humbjet e shkaktuara.


