Legalizimi i banesave, punësimi, arsimi dhe ruajtja e zanateve tradicionale ishin disa nga problematikat e ngritura nga përfaqësuesit e komuniteteve rome dhe egjiptiane në Korçë.
Gjatë një takimi me përfaqësues të institucioneve vendore, ata kërkuan më shumë mbështetje dhe angazhim institucional për adresimin e çështjeve me të cilat përballen.
Një prej problematikave lidhet me legalizimin e banesave në disa zona të qytetit, ku jetojnë familje të komuniteteve rome dhe egjiptiane.
Punësimi mbetet gjithashtu një shqetësim, veçanërisht për komunitetin egjiptian, ku u kërkuan më shumë mundësi për integrimin në tregun e punës.
Përfaqësuesit ngritën edhe nevojën për mbështetje në ruajtjen dhe zhvillimin e zanateve tradicionale, si pjesë e trashëgimisë kulturore të komuniteteve.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, Petrika Tollkuçi, i cili garantoi mbështetjen e institucionit për adresimin e problematikave të ngritura.
Takimi mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore dhe të komuniteteve rome e egjiptiane, me synim diskutimin e problematikave dhe identifikimin e zgjidhjeve konkrete.


