Breshëri i rënë një ditë më parë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në kulturat bujqësore në fshatrat Dobranj dhe Bracanj të bashkisë Devoll.
Sipas fermerëve, dëmet më të mëdha janë shkaktuar në kulturën e fasules, ku në disa sipërfaqe më shumë se 80% e prodhimit ka shkuar dëm. Situata paraqitet veçanërisht e rëndë në Dobranj, ku fasulja është një prej kulturave kryesore të zonës.
Fermerët tregojnë se breshëri zgjati rreth 30–40 minuta dhe goditi kulturat në fazën e pjekjes.
“Shumë dëm pati. Të gjithë fasulet i shuajti, i hodhi përdhe. Me prodhimet rrojmë ne. Te fasulet e kemi kokën”, shprehet fermeri Bardhi Kaso.
Edhe Ramadan Zyfi tregon për dëmet e mëdha në parcelat e tij. Ai thotë se ka rreth 3 hektarë me fasule dhe se rreth 70% e prodhimit që ndodhej jashtë është dëmtuar.
“Kam 3 hektarë me fasule. Rendimenti ishte rreth 4 kuintalë për dynym, dy u dëmtuan. Rreth 20 kuintalë fasule, rreth 10 milionë lekë të vjetra”, shprehet ai.
Kryeplaku i Dobranjit, Petrika Zyfi, thotë se dëmet janë të konsiderueshme në një sipërfaqe prej rreth 300–400 dynymësh.
“Ra 40 minuta breshër. 80% e sipërfaqeve janë dëmtuar. Janë në fazën e pjekjes dhe i ka goditur. Unë kisha 15 dynymë, rreth 12 milionë lekë dëm”, deklaron Zyfi.
Pas dëmeve të raportuara, ditën e sotme një grup pune i Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë Devoll ka shkuar në Dobranj dhe Bracanj për të verifikuar situatën në terren. Të dhënat e mbledhura pritet t’i referohen më pas Drejtorisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor.
Fermerët e Devollit janë përballur edhe në vitet e fundit me dëme të përsëritura nga reshjet e breshërit, të cilat kanë prekur kultura të ndryshme bujqësore, përfshirë edhe pemëtoret me mollë.


